Arben Taravari kërkon formimin e një qeverie teknike

Nënkryetari i partisë politike Aleanca për Shqiptarët dhe kryetari i Komunës së Gostivarit, në referimin e fundit të publikuar në profilin e tij në Facebook, me qëllim të tejkalimit të situatës në vend, kërkon formimin e menjëhershëm të qeverisë teknike.

“Nuk mjafton të fokusohemi vetëm te problemet. Zgjidhja konsiston në dy fjalë, qeveri teknike. Asnjë garë partiake, sepse nëse diçka na është bërë e qartë deri tani, është se gara të tilla manipulohen dhe nuk ka fitues, vetëm të mundur. Është e domosdoshme që inatet partiake të dalin jashtë zyrave vendimarrëse, jashtë mureve të selive pushtetare, dhe të fillojë të funksionojë një kabinet qeveritar që do të mbushë xhepat e qytetarëve dhe jo xhepat e tyre personalë”, shkruan Taravari.

Ai vë korrupsionin, papunësinë, arsimin, shëndetësinë dhe administratën si pika të nxehta në vlerësimin ku nevojitet ndërhyrje profesionale. Taravari vlerëson se jemi të vegjël për nga gjeografia, por “gjigantë” për nga korrupsioni.

“Ekonomia do të marrë frymë të shëndoshë vetëm nëse këto pesë pika kritike “shënohen” siç duhet, sepse Maqedonisë nuk i mungojnë paratë, por transparenca. Paratë e popullit shkojnë në llogarinë e një grupi të vogël, kështu që qytetet kanë 4-5 bos, dhe të tjerët janë shërbëtorë ose armiq të gjykatës, komentoi Taravari.

Sipas tij, një qeveri teknike do të duhet si prioritet për të dalë nga kriza e dilemave historike, të punojë në harmonizimin e kalendarit qeveritar me atë të BE-së dhe të ketë si anëtarë ekspertë të fushave të tyre pa lidhje politike.

“Pikërisht në një “veshje” të tillë Qeveria do të jepte shembull për të gjitha qeveritë e tjera, të ardhshme, duke punuar dhe duke mos pritur lëvdata e komplimente, por duke kryer me sukses detyrat e saj. Tani është koha që të dalin përpara të gjitha ato zonja dhe zotërinj që u dalluan në sallat e universiteteve vendase dhe ndërkombëtare, që e duan vendin dhe popullin e tyre. Tani është koha që ekspertët të qeverisin!, përfundon Taravari.