Vaksinimi i detyrueshëm i fëmijëve është ulur ndjeshëm në dy vitet e pandemisë. Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, ulje të mbulesës vaksinale kanë të gjitha vaksinat te fëmijët, por ulja më e frikshme e cila po vijon për dy vite rradhazi është vaksina që bëhet në moshën 1 vjeç, ku përfshihet dhe fruthi.
Në vitin 2020 mbulesa vaksina e fruthit, rubeolës dhe parotitit zbriti në 91% ndërsa për vitin 2021 kjo vaksinë në rang kombëtar është ulur në nivele minimale duke kërcënuar shëndetin e fëmijëve, pasi është 89%, pra rreth 11% e fëmijëve që duhet të bëjnë këtë vaksinë janë të pavaksinuar, ndërsa para pandemisë për këtë vaksinë mbulesa vaksinale ishte 95%.
Kjo ulje e vaksinimit të fëmijëve sipas bluzave të bardha është e ndikuar edhe nga pandemia, por sidomos nga bindjet e gabuara të prindërve. Vaksinat ofrohen në maternitet dhe në sistemin e kujdesit shëndetësor parësor sipas një skeme të caktuar. Mbulesa vaksinale para pandemisë ishte mbi 90% dhe varion nga 95-99% në shkallë vendi me një mesatare prej 98% duke treguar për një cilësi të vlefshme të këtij shërbimi.
Sipas mjekes së konsultorit të fëmijëve në qendrën shëndetësore nr.2 në Tiranë, gjatë vitit 2021, është vënë re një ulje e lehtë për të gjitha vaksinat, por e ndjeshme dhe e rrezikshme për të bërë një shpërthim epidemik është vaksina e cila ka të përfshirë fruthin, rubeolën dhe parotitin.
Mjekja u bën apel prindërve të vaksinojnë fëmijët sepse rreziku nëse bien në kontakt me këto sëmundje infektive është i madh, madej vdekjeprurës. Edhe në vitin 2018 Shqipëria shënoi një ulje të mbulesës vaksinale duke arritur në nivelin 94%. Në atë kohë, sipas ISHP u regjistruan 800 raste me fruth dhe dy fëmijë humbën jetën. Vaksina e përbashkët, fruth, rubeolë, parotit adminstrohet me dy doza, injeksioni i parë kryhet në moshën 1 vjeç dhe e dyta në 5 vjeç.