VMRO-DPMNE-ja opozitare pret që Sofja të vendosë kushte të reja për vendin në rrugën drejt integrimit evropian. Kjo vjen pasi ministri i ri teknik për punët Jashtme i Bullgarisë, Nikollaj Millkov, paralajmëroi dje për përgatitjen e një dokumenti të ri të shkruar, i cili do të përmbajë detyra konkrete për institucionet bullgare, sipas të cilit do të udhëhiqen në marrëdhëniet bilaterale me Shkupin. Për VMRO-DPMNE-në ky dokument paraqet shantazh të ri, sepse siç thonë ata do të përmbajë obligime të reja për Maqedoninë. Nga ana tjetër, LSDM-ja akuzoi se opozita po sajon konstruksione.
“Tani, një muaj pas suksesit historik të shpallur nga Kovaçevski, po ndodh debakël i ri dhe dokument i ri i shkruar me detyra. Ky dokument do të jetë baza mbi të cilën Bullgaria do të vlerësojë progresin sipas planit të saj dhe sipas të cilit do të miratojë ose jo vazhdimin e negociatave. Ku janë tani Osmani, Mariçiq, Pendarovski dhe Kovaçevski të tregojnë se çfarë përmban ky dokument i shkruar i paralajmëruar nga diplomacia bullgare?”, deklaroi Mile Lefkov – deputet i VMRO-DPMNE-së.
“Edhe pse të gjitha gënjeshtrat e tyre janë demantuar, nga Pallati i Bardhë vazhdojnë të përhapin gënjeshtra dhe të sajojnë konstruksione. VMRO-DPMNE-ja edhe sot përhap gënjeshtra për disa marrëveshje të reja, për disa kushte të reja me të cilat mundohet ta shqetësojë opinionin. Shumë shpejt do të dëshmohet se kjo gënjeshtër e VMRO-DPMNE-së do të plasë si flluskë sapuni”, tha Darko Kaevski – deputet i LSDM-së.
Ka reaguar edhe Ministria e Jashtme. Ata mohojnë përgatitjen e detyrimeve të reja dhe hedhin poshtë mundësinë e ndonjë dokumenti të ri midis Shkupit dhe Sofjes. Nga atje thonë se prioritetet dhe planet e veprimit të qeverisë së re bullgare janë punë e tyre e brendshme.
“Ne duam të hedhim poshtë të gjitha pretendimet se për të dy vendet po përgatiten detyrime të reja përtej parimeve të dakorduara në Protokollin e ndërsjellë, që do të thotë: së pari, reciprocitet në kuadër të detyrimeve të marra; si dhe autonominë e Komisionit të Përbashkët të Ekspertëve Multidisiplinar për Çështjet Historike dhe Arsimore”, njoftojnë nga MPJ.
Ministria e Punëve të Jashtme shton se qeveria e re bullgare inkurajon që një fokus i madh të vendoset në marrëdhëniet dypalëshe me Shkupin. Por, pasardhësi i Teodora Gencovskës, Nikollaj Millkov, duke folur për kërkesat e VMRO-DPMNE-së për referendum, tha se ekziston mundësia reale që proceset në Maqedoni të fillojnë të ecin në drejtim të kundërt. Millkovi është diplomat me karrierë dhe së fundmi ka mbajtur postin e ambasadorit të Bullgarisë në Paris. /Alsat/