Kallëzim penal për policin i cili një emigranti ia ka marrë celularin


 Një polic nga Qendra Rajonale për Punë Kufitare Veri ka marrë kallëzim penal për marrjen celularit një emigranti dhe për dhënie të vërtetimit fiktiv për gjësendet e kthyera.

Siç kumtoi MPB, Sektori për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminalistike dhe Standarde Profesionale në MPB, deri te Prokuroria Themelore Publike Kumanovë, ka ngritur kallëzim penal kundër Z.S. – i punësuar në QRPKV për shkak të ekzistimit të dyshimit për vepër të kryer penale “keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar”,  të dënueshëm sipas nenit 353 nga Kodi penal i Republikës së Maqedonisë.

I denoncuari, në cilësi të nëpunësit policor përgjegjës, ka vepruar në kundërshtim me procedurat për gjësendet e marra përkohësisht – celular nga një emigrant i arrestuar. Ka dhënë urdhër të përgatitet vërtetim fiktiv për gjësendet e kthyera. Kundër tij është ngritur edhe procedurë për përcaktimin e përgjegjësisë disiplinore.