Homazhe në disa qytete shqiptare për 7-vjeçaren Jonada Avdia


Homazhe janë mbajtur në disa qytete shqiptare për 7-vjeçaren Jonada Avdia, e cila humbi jetën tragjikisht ditën e sotme në Himarë, pasi u përplas nga skafi i një ish-polici që po kryente manovra buzë detit.

Në kryeqytet, qytetarët kanë ndezur qirinj si dhe kanë vendosur lule te shkallët e kryeministrisë. Edhe në qytetin e Beratit si dhe në plazhin e Potamit, ku humbi jetën vogëlushja që kishte ardhur me pushime me familjen, janë ndezur qirinj.

Mijëra të tjerë kanë shprehur ngushëllimet në rrjetet sociale.

Ngjarja e rëndë tronditi mbarë opinionin, duke shkaktuar reagime të forta nga krerët më të lartë të politikës dhe personazhe publike. Sakaq, drejtori i Policisë së Shtetit Gledis Nano njoftoi këtë mbrëmje se ka vendosur të shkarkojë nga detyra të gjithë zinxhirin komandues në Policinë Kufitare të Vlorës.

Polici Arjan Tase deklaroi se drejtonte mjetin pa pasur patentë. Ai është arrestuar dhe është marrë në pyetje nga punonjësit e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.

Familjarët e vogëlushes së ndjerë kanë hapur dyert e mortit. Përmes rrjeteve sociale ata kanë njoftuar ceremoninë e përcjelljes në banesën e fundit ditën e sotme në Laprakë.