“Duke kujtuar dhe nderuar miliona viktima të Luftës së Dytë Botërore, nuk duhet të harrojmë më shumë se 4300 fëmijë, gra dhe burra romë që u ekzekutuan në kampin nazist në Aushvic-Birkenau”, ishte mesazhi i presidentit të vendit Stevo Pendarovski me rastin e 2 gushtit – Ditës Evropiane të Përkujtimit të Holokaustit të Romëve.
“Në atë periudhë të tmerrshme të historisë, ishin në fuqi ligje që zhvlerësonin jetën njerëzore dhe dinjitetin e natyrshëm të grupeve të ndryshme, përfshirë romët. Ideologjia e kohës lejonte shfrytëzimin e punës së tyre, eksperimente çnjerëzore mjekësore, sterilizime të detyruara dhe në fund, vrasje masive në kampet e vdekjes. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, mbi 500,000 romë u vranë në të gjithë Evropën dhe Ballkanin”.
“Është shqetësuese fakti që padrejtësitë historike ndaj romëve janë ende të gjalla – mohimi i gjenocidit ndaj tyre, racizmi, anti-ciganizmi, gjuha e urrejtjes dhe diskriminimi, intensiteti i të cilave po rritet edhe në shoqëritë moderne demokratike. E gjithë kjo i shtyn romët në margjina dhe e shtyn luftën për të drejtat dhe liritë e tyre njerëzore”, tha Pendarovski.
Sipas tij romët janë pjesë e pandashme e mozaikut social maqedonas që ndan aspiratat dhe sakrificat në luftën për një shoqëri të lirë. Ajo bashkëjetesë duhet të vazhdojë në frymën e solidaritetit, humanizmit dhe respektit të ndërsjellë.