Kasami: “Mbi 3500 lëndë për legalizimet janë shqyrtuar për 6 muaj, ja çfarë kemi konstatuar”

Kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami ka folur sot për procesin e legalizimeve dhe se çfarë kanë konstatuar. Sipas tij, udhëheqësia e tanishme me komunën ka dëshmuar se atë që e ka premtuar në fushatën e kaluar zgjedhore ka arritur ta përfundojë me sukses.

“Kjo që do të elaborohet sot, në këtë konferencë për shtyp do të jetë edhe përgjigje për disa shërbëtorë të pushtetit të cilat në vazhdimësi po mundohen të defokusojnë punën tonë dhe të dezinformojnë qytetarët, edhe pse Tetovarët janë të vetëdijshëm për punët tona dhe ju falënderohem publikisht që gjithnjë po na japin besimin e tyre dhe mbështetje të parrezervë në realizimin e punëve tona në të mirë të qytetit dhe qytetarëve.

Kjo konferencë për shtyp ka të bëjë kryekëput me procesin e legalizimeve, proces që është dashur që të përfundojë shumë kohë më parë, por fatkeqësisht ky proces është anashkaluar në forma të ndryshme dhe të paskrupullta”, theksoi Kasami.

Sipas tij, Me ardhjen në krye të komunës së Tetovës, detektuan problemet e mëdhaja në urbanizëm nga ku u detyruam që menjëherë të inicojmë formimin e komisionit dhe bënë thirrje që të na bashkangjiten persona profesionistë të sferës adekuate, nga ku arritëm të krijojmë një grup prej 14 anëtarësh, i cili nga muaji janar pandërprerë kanë punuar dhe kanë arritur që të procesojnë mbi 3500 lëndë të ngelura që nga viti 2011.

“Kjo është një përgjigje edhe për poltronët e partive në pushtet se pse komuna e Tetovës është dashur që të nënshkruaj disa kontrata në vepër, të cilat edhe e kanë dëshmuar me punë kohën e kontraktimit në komunën tonë.

Pa mos e përmendur pjesën më të rëndësishme në fillim, do të ju jap një sqarim në lidhje me lëndët e analizuara dhe të përpunuara nga ky komision ku edhe kanë qenë në komunikim të vazhdueshëm me aplikuesit, ndërsa për në fund do jua shpalos edhe absurditetin ku akoma është e pakuptueshme për ne se pse mund të ketë ndodhur diçka e tillë.

Do elaboroj në pika të shkurta punën e palodhshme të komisionit dhe shifrat të cilët ata m’i kanë dorëzuar nga raporti i lëndëve të përpunuara gjatë kësaj periudhe:
159 lëndë janë të përfunduara me Aktvendime për miratim të legalizimeve,
338 lëndë janë për në procesim në Këshillin e Komunës së Tetovës për shkak të mos pajtueshmërisë të destinimit të objektit me tokën dhe njëherit paraqesin pengesë për interesin publik (trotuar, rrugë, hapësirë gjelbëruese),
97 lëndë janë të refuzuara për shkak të mos përputhshmërisë ligjore dhe dokumentacionit të lëndës.

344 lëndë janë për pagesë, ku ftohen qytetarët që të realizojnë pagesën e paraparë me ligjin për legalizim dhe të mund të vazhdohet më tej procesi i legalizimit të objekteve të tyre.

417 lëndë janë për terren, ku shumica e lëndëve janë të trashëguara dhe ne kemi formuar disa komisione të terrenit të cilët në vazhdimësi kryejnë kontrollet e tyre që të mund të bëhet krahasimi dhe përputhshmëria e vizualizimit të objekteve me kërkesat e tyre.

2152 lëndë kanë mungesë të dokumentacionit, ku për secilën prej këtyre kemi përgatitur përfundim për ndërpreje të procedurës, ku në mënyrë automatike secila palë do të jetë e informuar për mungesën e dokumentacionit, lënda do të vazhdojë kur do të kompletohet dokumentacioni i nevojshëm nga pala, ndërsa këto lëndë do të jenë gjithashtu të publikua edhe në webfaqen e komunës që personat që kanë aplikuar, të mund të informohen për dokumentet që duhet të kompletojnë.

NDËRKAQ, AJO QË VËRTETË ËSHTË ABSURDE DHE KËRKON PËRGJIGJE NGA UDHËHEQËSIA E KALUAR, ËSHTË SE: 67 AKTVENDIME TË PLOTËFUQISHME TË PËRFUNDURA SHUMË MË HERËT, JANË MBAJTUR NËPËR SIRTARË DHE NUK U JANË DORËZUAR QYTETARËVE!!!!!.
Andaj, kjo nuk ka se si të quhet ndryshe përveçse të vërtetoj edhe njëherë atë se si udhëheqësia e kaluar për shkaqe korruptive i ka mbajtur peng qytetarët e Tetovës dhe për këtë i kemi dëshmitar edhe vet qytetarët të cilët me habi na përgjigjen kur i ftojmë që të vijnë t’i marrin lejet e tyre dhe ju themi se nuk detyroheni asgjë ngase ky është obligim të cilin komuna duhet ta kryej.

Pyetja e cila duhet parashtruar publikisht udhëheqësisë së kaluar është se pse nuk janë dhënë këto leje edhe pse ka pasur aktvendime të plotfuqishme?!

Edhe njëherë e potencojmë se, ashtu siç jemi zotuar për transparencë dhe për të ua bërë më të lehtë qytetarëve të gjitha lëndët të cilat kanë mungesë të dokumentacionit do të vendosen në web faqen e Komunës së Tetovës, ku do të mund t’i rishikojnë përmes numrit të lëndës dhe dokumentet e nevojshme t’i kompletojnë deri në afatin e paraparë me ligjin për legalizim.”, deklaroi Kasami.(INA)