Situata në Europë sa vjen e përkeqësohet, pasi zjarret janë bërë më të shpeshta, ku po shkaktojnë më shumë dëme dhe po bëhen më të vështira për t’u shuar.
Dhe shkencëtarët thonë se me gjasë zjarret do të bëhen edhe më të këqija, pasi ndryshimet klimatike do të intensifikohen nëse nuk ndërmerren masa.
Migrimi masiv evropianëve nga fshatrat në qytete gjatë dekadave të fundit, ka lënë pas dore pyjet dhe i kanë lënë në mëshirë të thatësirave dhe valëve të të nxehtit që po bëhen gjithnjë e më të zakonshme në mes të ngrohjes globale. Dhe, një shkëndijë e vogël mund të shkaktojë një “ferr”. Luftimi i zjarreve pyjore në Evropë kurrë nuk ka qenë më i vështirë. Në këtë tekst mund të kuptoni pse.
Çfarë po i shkakton zjarret e egra në Evropë?
I ashtuquajturi eksod rural i kontinentit nisi në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar, teksa evropianët u shpërngulën në qytete në kërkim të një jete më të mirë, dhe ky eksod ka lënë zona të mëdha rurale pas dore dhe i ka bërë të cenueshme.
Zonat pyjore janë të mbushura me materiale të djegshme, tha Johann Goldammer, kreu i Qendrës Globale për Monitorim të Zjarrit, që është një organ këshillues i Kombeve të Bashkuara. Në materiale të djegshme përfshihen trungjet e pemëve të kalbura, degët e rëna, gjethet dhe bari i tharë.