Partia për Lëvizjen e Turqve në Maqedoni (PLT) ka dërguar reagim me shkrim deri tek presidenti Gjorge Ivanov dhe ministri i Punëve të Jashtme Nikolla Dimitrov, në lidhje me emërimin e Gjergj Dedaj për ambasador të Kosovës në Maqedoni.
“Jemi kategorikisht kundër që një person me mentalitet fashizoid dhe primitiv të jetë ambasador në vendin tonë, i cili në çdo segment maksimalisht mundohet të promovojë multietnicitetin. Jemi të bindur se pranimi i një personi të tillë si ambasador në Maqedoni, do të rezultojë negativisht në marrëdhëniet multietnike, por edhe në miqësinë mes Maqedonisë dhe Turqisë”- theksohet në reagimin e PLT-së.
Përndryshe,Gjergj Dedaj deri para disa ditëve ishte zëvendës ministër i Punëve të Jashtme i Kosovës.
Ditë më parë në Kosovë deputetët e komunitetit turk gjegjësisht ata të grupit 6 +, në takim me kryeministrin e Kosovës kishin kërkuar nga ai që zëvendësministri i atëhershëm Gjergj Dedaj të shkarkohet nga detyra e tij, për arsye të ofendimeve dhe sharjeve të cilat sipas tyre, ky i fundit i ka bërë në drejtim të shtetit turk dhe këtij komuniteti që jeton në Kosovë.
Në një postim në Facebook, Dedaj kishte shkruar se Turqia e Serbia kanë qenë sundimtarët më të egër të popullit shqiptar dhe se kanë bërë krime dhe gjenocid në këto troje.