Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti në një intervistë ekskluzive për “Zërin e Amerikës” ka folur për miratimin e propozimit francez me 68 vota nga ana e Kuvendit dhe mbajtjen e konferencës së parë ndër qeveritare që pritet të zhvillohet nesër në Bruksel. Ai tha se opozita maqedonase tentoi ti manipulojë qytetarët për të rritur rejtingun.
“Opozita u përfshi në një valë emocionesh, nga një valë folklorizmi. Pati një tendencë për manipulim të masave, gjoja se po humbet identiteti dhe gjuha maqedonase dhe po asimilohet kombi maqedonas me atë bullgar. Të gjitha këto ishin për politika ditore dhe për të rritur rejtingun e partive”, tha fillimisht Ahmeti.
Garantoi se gjuha dhe identiteti nuk do të preken.
“Gjuha maqedone njihet zyrtarisht nga BE, identiteti gjithashtu. Dhe këto I konfirmoj me fjalën e sajë përfaqësuesja evropiane në Kuvendin e RMV-së dhe unë jam shumë i sigurtë që tëra përpjekjet kanë shkuar në drejtim që as të mos fyhet identiteti ose gjuha, sepse këto janë çështje të trashëguara nga e kaluara, janë çështje të padrejtësive shekullore që u kanë ndodhur popujve të vegjël. Tani ky është moment historik për bashkëqytetarët e mi maqedonas për të legjitimuar në bashkësinë ndërkombëtare identitetin dhe gjuhën e tyre”, shtoi ai.
Foli edhe për ndryshimet kushtetuese.
“Nuk mendoj që ky problem do të jetë problem kryesor që të pengohet zhvillimi i procesit të mëtejshëm i anëtarësimit të RMV-së në BE. Çështja e kushtetutës hapet pas dy vitesh, kështu është agjenda që e parashikon protokolli, siç parashikon edhe çështje tjera që duhet zgjidhur brenda kësaj kohe. Pas dy vitesh, të gjitha forcat politike duhet rreshtuar drejtë, a do jenë për Evropën, për demokraci të mirëfilltë sundim të ligjit dhe shtet ligjor”, tha ai. Ai mes tjerash theksoi se partitë politike e kanë momentin historik që të rreshtohen drejtë.