Katër herë u detyrua të hyjë përmes kësaj dere vetëm e vetëm se ishte shqiptar dhe kërkonte të drejta për popullin e tij.
Selatin Novosella, për herë të parë burgun e Prishtinës që tani po kthehet në muze, e provoi kur ishte ende i mitur.
Ai thotë se nuk ka asgjë pos kujtimeve dhe përjetimeve të këqija nga ky vend, derisa kujton edhe një nga momentet më te rënda aty.
“Kam kaluar të gjitha torturat fizike që nënkuptohen. Për një moment kanë thënë, ose do pranosh ato që po themi, ose do të kalojmë të radiatori, do të sjellim gruan dhe do ta dhunojmë para teje” tha ai.
Pavarësisht kohërave te vështira, Novosella qe ishte bashkëpunëtor i Adem Demaçit, thotë se sakrifica e tyre ia ka vlejtur.
“I vetmi ngushëllim është liria e Kosovës. Ia kanë vlejtur këto sakrifica dhe më shumë se kaq”, sipas tij.
Ndërsa, Shaban Çupi, një ish i burgosur tjetër tregon se dhuna fizike e psikike ka qenë diçka e zakonshme në këtë vend edhe atëherë kur s’kishte arsye. Ai tregon se pësoi vetëm e vetëm se dëshironte të prekte dorën e nenës se tij gjatë vizitave.
“17 muaj nuk kam arritur të prek dorën e saj. Një herë e kam prekur gishtin e nënës. Ka pasur kosto ajo prekje”, deklaroi Çupi.
Pos dhunës e torturës fizike, Çupi thotë se kanë tentuar t’ua mbysin edhe shpirtin e idealin, por që nuk kanë arritur.
“Kanë dashur ta thejnë ushqimin shpirtëror, këtu janë prodhuar poezi në mënyrë imagjinare. Këtu në laps ka qenë fija e shkrepses, e djegur, e karbonizuar. Në letër ka qenë mbështjellësja e cigareve që kanë qenë brenda. Ne kemi krijuar letërsi në këto rrethana. Kur nuk kemi pasur çfarë lexojmë, kemi mësuar poezi që kemi pasur në atë libër”, theksoi ai.
Tani edhe Çupi edhe Novosella bashkë me shume ish të burgosur të tjerë, po hyjnë ne këtë vend pa frikën se nuk do të dalin gjallë nga aty. Kjo pasi ish burgu i Prishtinës me vendim te Ministrisë së Kulturës, po i hap dyert për të mos i mbyllur më kurrë.
Përveç vizitës nëpër qeli dhe pjesët tjera të burgut, në hyrje të tij është hapur edhe një mini ekspozitë me punime që pasqyrojnë jetën e shqiptarëve, në atë burg, të realizuara nga vetë të burgosurit. VIDEO