E enjte, 14 korrik, do të jetë dita vendimtare në Maqedoninë e Veriut.
Parlamenti do të mbajë seancën për miratimin e propozimit francez për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Bullgarinë dhe zhbllokimin e negociatave të anëtarësimit.
Sipas një njoftimi të Kuvendit, deputetëve do t’u drejtohet në një fjalim edhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von Der leyen. Me kërkesë të ligjvënësve, qeveria dorëzoi pasditen e së martën në kuvend, të gjithë dokumentacionin që ka të bëjë me propozimin e Francës.
Qeveria publikoi tri dokumente nga korniza e negociatave, por jo protokollin dypalësh midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, që kërkohet nga opozita. Protokolli, siç bëhet e ditur, do të nënshkruhet në Sofje pas miratimit të propozimit në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.
Burime diplomatike për Radion Evropa e Lirë thonë se nëse propozimi francez pranohet, në fillim të javës së ardhshme mundtë mbahet konferenca e parë ndërqeveritare mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së dhe menjëherë më pas BE-ja do të fillojë negociatat me Shqipërinë.
Megjithatë, hapja e kapitujve do të fillojë vetëm pasi Maqedonia e Veriut të ndryshojë Kushtetutën duke përfshirë pakicën bullgare, siç parashikohet me propozimin për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Për të siguruar një shumicë prej dy të tretash për ndryshimin e Kushtetutës, nevojitet edhe përkrahja e disa deputetëve të VMRO-DPMNE-së, por kryetari i kësaj partie opozitare, Hristijan Mickoski, tha se nuk do të mbështesë ndryshimin e Kushtetutës.