Qytetarët për çdo ditë janë dëshmitarë të rritjes së madhe të çmimeve dhe rritjes së kostos së jetesës nga muaji në muaj, si i çmimeve të produkteve ushqimore, ashtu edhe rritjes së fundit të energjisë elektrike dhe rritjes së karburanteve të naftës në më shumë se 100 denarë për litër.
Shkup, 11 korrik – Vonesa të dhjetëra mijë të ardhurave mujore të punonjësve, inflacion rekord prej 14.5 për qind vetëm në muajin qershor, shporta sindikale që arriti 40 mijë denarë të nevojshme së paku sipas përllogaritjes së sindikatës që një familje katër anëtare të kalojë muajin. Ku nëse dy të punësuar në një familje kanë paga prej nga 18 mijë denarë, atyre ju mungojnë edhe 4000 denarë që të mbijetojnë.
Këto janë vetëm një pjesë të treguesve negativ ekonomik në vend, që tregojnë se po përkeqësohet se vjen e më shumë standardi i qytetarëve.
SHTRENJTIM I MADH I JETESËS
Qytetarët për çdo ditë janë dëshmitarë të rritjes së madhe të çmimeve dhe rritjes së kostos së jetesës nga muaji në muaj, si i çmimeve të produkteve ushqimore, ashtu edhe rritjes së fundit të energjisë elektrike dhe rritjes së karburanteve të naftës në më shumë se 100 denarë për litër. Ekonomistët thonë se qeveria duhet të vazhdojë me masat e deritanishme që u skadoi afati para një muaji, për zbutjen e pasojave negative të rritjes së madhe të çmimeve siç janë ngrirja e çmimeve dhe marzhave të një pjese të artikujve themelor ushqimor.
Pritet që pas miratimit të rishikimit të buxhetit që është në seancën e Parlamentit në fillim të kësaj jave, të shpalosen edhe masat e reja qeveritare. Nga Ministria e Financave kohë më parë theksuan se edhe analizat e institucioneve ndërkombëtare rekomandimet thonë se vendet duhet të veprojnë me masa të targetuara ndaj kategorive të caktuara të qytetarëve dhe kompanive, me qëllim të ruajtjes së stabilitetit fiskal dhe makroekonomik të ekonomisë.
PRITEN MASAT E REJA ANTI KRIZË
Masat e reja që pasojnë pas miratimit të rishikimit të arkës shtetërore, parashikojnë të vendosen në funksion rreth 76 milionë euro për masa kundër krizës, por edhe subvencione për rritjen e pagës minimale, mjete të konsiderueshme shtesë për subvencione për fermerët – me qëllim rritjen e rendimentit, si dhe mjete për rritjen e pensioneve dhe rritjen e transfertave për të ardhura minimale të garantuara. Masat e reja synojnë mbrojtjen e kategorive më të prekshme apo cenueshme të popullatës, shpërndarjen e drejtë të mjeteve dhe konsolidimin gradual fiskal, i cili ka një rëndësi të madhe për ruajtjen e stabilitetit të borxhit publik dhe stabilitetit të ekonomisë vendore në përgjithësi.
Në ndërkohë sindikatat në vend vazhdojnë të insistojnë për rritjen e të gjithë pagave në sektorin publik dhe privat për 2800 denarë, për të zbutur sadopak këtë rritje galopante të çmimeve. Nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë thonë se aktualisht po hasin në vesh të shurdhër nga ana e qeverisë si punëdhënësi më i madhe në shtet, për kërkesat e tyre dhe për ndihmë ndaj qytetarëve në situatën më të vështirë në vend që nga pavarësia e këndej.
Kryetari i Sindikatës së të punësuarve në Administratë dhe Gjyqësor, Trpe Dejanovski thotë se sërish po përsërisin kërkesën e tyre që në rast se nuk do të ketë rritje të pagave për 2800 denarë, atëherë sindikatat do të kërkojnë harmonizimin e pagave të tjera me rritjen e pagës minimale, apo rritjen e të gjithë pagave për 18.4 për qind.
MESATARJA E ADMINISTRATËS 21.300 DENARË
Dejanovski, thekson se nëse kemi një mesatare të pagave prej 21.300 denarë në administratë, vetëqeverisjen lokale dhe gjyqësorin, atëherë mund të paramendoni se ça mund të paguhet me këtë pagë. Bile edhe shporta konsumatore që e përgatit LSM ka shënuar rritje të madhe, ndërsa shton se çmimet që janë vendosur në këtë shportë janë më çmimet më të ulëta, të prodhimeve themelore që mund të gjenden në Maqedoni dhe atë jo në shitore, por në tregje.
Apo po shikohen çmimet më të ulëta, për ushqim, higjienë, transport, jetë kulturore-zbavitëse. Andaj edhe kur shikohen këto çmime të ulëta, shportën momentale sindikale nuk e plotësojnë as dy paga minimale. Kërkesën për rritjen e mëtejshme të pagave, ai e mbështet me atë se 85 për qind e të punësuarve në administratë kanë paga nën pagën mesatare prej 21.525 denarë.
Sindikatat thonë se në rast se nuk gjendet zgjidhje për kërkesat e tyre se do të pasojnë padi edhe para Organizatës Botërore të Punës, ndërsa ekziston mundësia që kjo problematikë të shtohet edhe para Komisionit Evropian dhe Këshillit të Evropës. Gjithashtu sindikatat kanë paralajmëruar se të drejtat e tyre do ti kërkojnë edhe para gjykatave vendore.
NË MAJ MBI 16 MIJË PUNËTORË PA PAGA
Të dhënat e Drejtorisë për të Ardhura Publike tregojnë se në muajin maj, 6250 punëdhënës kanë parashtruar përllogaritje por nuk kanë paguar pagat për 16.722 punonjës, përderisa 5.211 punëdhënës nuk kanë parashtruar as përllogaritje për 10.390 të punësuarit e tyre, në afatin e parashikuar ligjor. Përfaqësuesit e punëdhënësve arsyetohen se shumë kompani kanë probleme të mëdha me likuiditetin apo me disponimin me para të gatshme dhe e kanë mjaft të vështirë që tu rezistojnë harxhimeve të ndryshme në këtë kohë krize, siç janë çmimet e mëdha të energjenseve.
PËR NJË VIT SHPORTA SHTRENJTOHET PËR AFËR 5500 DENARË
Rritja e çmimeve dhe rritja e inflacionit, e cila vjen duke u rritur nga muaji në muaj dhe për muajin qershor është 14.5 për qind, ndikon në uljen e fuqisë blerëse të punëtorëve dhe çon në varfërimin e të gjithë popullsisë. Sipas analizës së LSM, rritja e shportës minimale sindikaliste po vjen si rrjedhojë e rritjes enorme të çmimeve. Rritja më e madhe është te ushqimet dhe pijet me 21.2 për qind në muajin maj në raport me të njëjtin muaj në vitin e kaluar.
Shporta minimale sindikale për muajin qershor është 39.710 denarë , dhe nga janari 2022 (35.811 denarë) është rritur për 3.399.00 denarë, apo për 9.49 për qind. Vetëm për një vit ose nga muaji qershor 2021, kur shporta minimale sindikale ishte 34.212 denarë, ajo është rritur për 5.498 denarë, apo për 16 për qind. Nga muaji në muaj, kostoja e jetesës për një familje katër anëtarëshe po rritet ndjeshëm, ndërsa pagat nuk po ndjekin të njëjtën rritje. Të njëjtën gjë e tregon edhe përllogaritja e shportës minimale të sindikatës që LSM llogarit çdo muaj.
Prandaj me të drejtë, Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë kërkon rritje të pagave për të gjithë punonjësit, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat, pavarësisht kundërshtimeve të evidentuara të subjekteve të caktuara që janë kundër rritjes së pagave të punëtorëve.