Kancelari gjerman, Olaf Scholz, përmes një letre të hapur drejtuar Maqedonisë së Veriut, shkruan se vendi i RMV-së është në BE, ku kultivohen gjuhët dhe identitetet e ndryshme. Madje edhe pas miratimit të propozimit, rruga nuk do të jetë e lehtë, thotë Kancelari Scholz, suke siguruar se bashkë do të tejkalohen detyrat.
Letra e hapur e Kancelarit gjerman Olaf Sholc për RMV-n:
Ne e duam Maqedoninë e Veriut si anëtare të BE-së!
Vendi juaj ndodhet sërish para një vendimi të rëndësishëm për të ardhmen e tij: Dëshironi ta pranoni kompromisin europian? Kështu mund të mbahet më në fund konferenca e parë ndërqeveritare – shtatëmbëdhjetë vjet pas dhënies së statusit të një vendi kandidat për në Bashkimin Europian. Kjo do t’ju sjellë një hap shumë më afër anëtarësimit në BE dhe do të kapërcejë bllokadën.
Unë e kuptoj padurimin dhe frustrimin tuaj. Madje edhe më shumë: unë e përjetoj ashtu si ju!
Unë e kuptoj kur ju thoni: Neve për një kohë të gjatë na është premtuar shumë. Shumë është kërkuar prej nesh. Unë e kuptoj kur ju keni dyshime, nëse me këtë hap vërtet rruga drejt anëtarësimit për në BE është e hapur.
Dëshiroj të jem krejt i hapur me ju: edhe pas miratimit të këtij kompromisi procesi i anëtarësimit në BE nuk do të jetë i lehtë. Pengesa të tjera do të duhet të kapërcehen. Por unë them po ashtu: bashkë do t’i përballojmë detyrat që kemi përpara.
Sepse ne ju duam si anëtarë të këtij Bashkimi Europian!
Ne ju duam, të dashura qytetare dhe të dashur qytetarë të Maqedonisë së Veriut si anëtarë të një unioni, në të cilin veçantitë tuaja kulturore dhe tonat, gjuhët tona të ndryshme dhe identitetet tona të mbahen dhe të ruhen. Kjo na bën së bashku të fortë.
Ne të gjithë e dimë: kompromiset do të thonë ndonjëherë lëshime të dhimbshme. Bashkimi Europian përbëhet prej kompromisesh – ditë për ditë. Megjithatë, unë jam fort i bindur se madje kompromiset e vështira në fund na çojnë gjithmonë përpara dhe na bëjnë më të fortë.
Ne jemi dhe mbetemi në anën tuaj.
I Juaji Olaf Scholz, Kancelari Federal i Republikës Federale të Gjermanisë.