Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar mbrëmjen e djeshme pranë Universitetit “Ismail Qemali” në lagjen “Skelë” të qytetit të Vlorës.
Pronari i një dyqani ushqimor në Vlorë i ka shpëtuar mrekullisht plumbave në drejtim të tij pas një sherri banal. Duke iu referuar burimeve nga policia e Vlorës, mësohet se një person ka shkuar në dyqanin ushqimor ku punonte e dashura dhe është konfliktuar me pronarin.
“Pse më ke lakuar emrin mua”, mësohet se i ka thënë ai pronarit të dyqanit dhe më pas ka nxjerrë armën.
Edhe pse pronari i ka thënë se nuk e ka përmendur dhe nuk ka punë me të, autori ka shtënë në drejtim të tij të paktën tre plumba. Fatmirësisht asnjë prej tyre nuk e ka kapur pronarin e dyqanit.
Paraprakisht thuhet se autori i të shtënave është shtetasi me iniciale L. P., 50 vjeç. Dyshohet se autori kishte lidhje me një nga punonjëset e dyqanit, pranë të cilit ndodhi ngjarja. Autori, ka qëlluar tre herë me armë zjarri, ndaj pronarit të dyqanit.
Autori ka qenë i shoqëruar nga një tjetër person që e ka nxjerrë pronarin jashtë objektit.
Policia me të marrë njoftimin ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet, ndërsa ka shoqëruar dhe vajzën dhe pronarin për të marrë dëshmitë e tyre. Dy personat janë identifikuar dhe policia është vënë në ndjekje.