Ra qeverìa e Petkovit nè Bullgarì

Qeveria bullgare e kryeministrit Kiril Petkov ka rënë ditën e sotme, duke humbur mocionin e besimit në parlamentin bullgar me 123 vota pro, 116 kundër dhe asnjë abstenim.

Rrëzimi i qeverisë sjell pengesë edhe për vendimmarrjen e heqjes së vetos për Maqedoninë e Veriut.

Kujtojmë se votëbesimi është dorëzuar nga GERB. Argumenti i grupit më të madh opozitar ishte “dështimi i qeverisë në politikat financiare të vendit”.

Presidenti duhet të nisë konsultimet me partitë në Asamblenë Kombëtare. Më pas vijon prezantimi i mandatit të parë hetimor përpara forcës më të madhe politike “Vazhdojmë ndryshimin”. Ata kanë shtatë ditë kohë për të mbledhur shumicën.

Nëse mandati kthehet, kreu i shtetit sërish nuk ka një afat të caktuar për konsultime. Edhe partia e dytë që do të marrë mandat, në këtë rast GERB-i, do të ketë shtatë ditë. Nëse e kthejnë mandatin, presidenti Radev do të ketë 7 ditë kohë për të zgjedhur palën e tretë për të tentuar formimin e kabinetit.

Kur shterohen mundësitë, caktohet një qeveri kujdestare dhe deri atëherë, qeveria në dorëheqje do të drejtojë vendin.

Nisur nga procedurat, ekspertët vlerësojnë se zgjedhjet e parakohshme mund të zhvillohen së shpejti në gusht, por për shkak të sezonit të pushimeve, votimi pritet të mbahet në shtator ose tetor.

Qeveria e Petkov nuk arriti t’i mbijetonte mocionit të mosbesimit të dorëzuar në Kuvend nga GERB për shkak të dështimeve ekonomike të qeverisë.

Qeveria e 99-të e Bullgarisë me kryeministër Kiril Petkov u zgjodh më 13 dhjetor 2021. Para formimit të saj, vendi shkoi në zgjedhje tri here, një rekord në historinë e Bullgarisë.

Pengesë e madhe ishte dhe bllokada e bisedimeve mes Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian, të cilat Sofja kishte vënë veton për mospërputhjen e saj me Marrëveshjen e Fqinjësisë të vitit 2017, gjuhën e urrejtjes, shkatërrimin e monumenteve kulturore bullgare dhe falsifikimin e historisë bullgare.