Presidenti bullgar: “Zhbllokimi i rrugës evropiane të Maqedonisë së Veriut i takon Qeverisë”


Presidenti bullgar, Rumen Radev ka kërkuar që qeveria e Bullgarisë të deklarohet lidhur me propozimin e presidencës franceze me BE-në për zhbllokim të rrugës evropiane të Maqedonisë së Veriut.

Rumen Radev
”Qasja aktuale nuk mund të funksionojë. Qeveria bullgare duhet të japë mendim në bazë të profesionalitetit të Ministrisë bullgare të Punëve të Jashtme dhe në çfarëdo mënyre të përditësojë pozitën kombëtare e më pas ta dërgojë në parlament për miratim…..Me të vërtetë që ka përparime. Ndryshimi i Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut tanimë është pranuar të ndodhë. Në Sofje asnjëherë nuk kemi folur për pakicë, por barazi të bullgarëve maqedonas”.

Presidenti Radev këmbëngul që së pari të ndryshohet kushtetuta e Maqedonisë së Veriu dhe  pastaj të fillojnë negociatat me BE-në.

Ndërkaq, kryeministri bullgar Kiril Petkov deklaroi se në Samitin e BE-së në Bruksel gjatë javës nuk do të shkojë me qëndrim të qeverisë lidhur me propozimin francez, por me vendim të parlamentit.

Petkov
”Propozimi i presidencës franceze është tashmë në Kuvendin Kombëtar të Bullgarisë. Deputetët do të sjellin vendimin dhe ne do të përmbushim vullnetin e tyre”.

Propozimi francez për zgjidhjen e kontestit mes Sofjes dhe Shkupit nesër është në rend dite të Komisionit për punë të jashtme në Kuvendin e Bullgarisë. Në takim, do të prezantohet mendimi i MPJ-së për draft-procesverbalin nga takimi i përbashkët sipas nenit 12 të Marrëveshjes me Republikën e Maqedonisë nga viti 2017 dhe pakoja e dokumenteve të Presidencës së Këshillit të BE-së, gjegjësisht propozimi francez lidhur me procesin e zgjerimitm. /SHENJA

https://youtu.be/EZpkSonuelI