Në shkollat e mesme ku ka më shumë kandidatë, sot u mbajt testimi pranues e nesër mbahet afati i dytë i regjistrimit në shkollat ku ende ka vende të lira. Testime u mbajtën në ato shkolla te mesme ku përmes aplikacionit elektronik të paraqitjes, kanë fituar më shumë kandidatë nga sa ka vende të lira. Testim kishte edhe në shkollën e mesme të mjekësisë “Pance Karagjozov”, ku interesimi është çdo vit i lartë. Nxënësit e anketuar nga TVM2, thonë se gjithçka kaloi mirë dhe testet nuk ishin të vështira.
“Ishte një provim i suksesshëm dhe besoj se do t’ia dal. Kemi mësuar dhe për mua nuk ishin të vështira e për tjerët nuk e di. Kam drejtim të përgjithshëm si infermier”, tha një nxënës.
“E pata provimin pranues në lëndën e kimisë dhe biologjisë, për farmaci, pyetjet ishin mirë të lehta”, u shpreh një nxënëse. Edhe profesorët thonë se gjithcka ka shkuar sipas planit dhe besojnë se testimin do ta kalojnë nxënësit më të mirë.
“Kemi pritur të kemi më shumë rrëmujë por fatmirësisht aq mirë eci sa u habitëm edhe ne. Ishin nxënësit e përgaditur ishin të qetë, testatorët ishin shumë pozitiv, por edhe ata që ishin nga ana e Ministrisë ishin korrekt nuk ishte që hasëm në ndonjë pengesë”, tha Florent Rustemi, Profesor në sh.m të Mjekësisë. Në shkollat e tjera në vend, sidomos në shkollat profesionale, ka ende vende të lira. Paraqitja e dytë për regjistrim në shkolla të mesme do të jetë më 21 qershor dhe e treta më 28 qershor.