Hekurudha Prishtinë-Durrës kryefjalë e mbledhjes së qeverive Kurti- Rama (VIDEO)

Qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës mbajtën sot mbledhjen e 8-të të përbashkët në Prishtinë, ku u firmosën një sërë marrëveshjesh për të lehtësuar jetën e qytetarëve të dy vendeve dhe për të përafruar të dy shtetet. Hekurudha Prishtinë-Durrës, që do ta lidhte Kosovën me portin e Durrësit dhe Porti i Thatë në Prishtinë ishin kryefjala e kësaj mbledhjeje.

Dy kryeministrat, Edi Rama dhe Albin Kurti, theksuan se ky projekt synon të ndihmojë bizneset dhe të rrisë shkëmbimin tregtar mes dy vendeve, nga 430 milionë euro aktualisht në 1 miliard euro si synim për të ardhmen. Në mbledhjen mes dy qeverive u fol edhe për abetaren e unifikuar, e cila është në fazë përgatitore. Përveç Shqipërisë dhe Kosovës, abetaren e unifikuar shqipe do ta shfrytëzojnë edhe nxënësit e Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi e Serbisë.

EDI RAMA, KRYEMINISTËR I SHQIPËRISË
“Këtu është vendi i duhur për ta thënë se ka përfunduar faza e parë e punës së grupit të përbashkët për abetaren e unifikuar. Kemi fituesin. Puna për fazën e dytë të zbatimit vazhdon dhe jam shumë i lumtur që do të kemi mundësi së bashku me Albinin që të dorëzojmë abetaret e unifikuara. Ne kemi folur edhe me përfaqësuesit e popullsisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut, kryeministrin e Malit të Zi dhe do të flasim edhe me autoritetet në Serbi që kjo abetare e unifikuar të shkojë te të gjitha familjet shqiptare, te fëmijët shqiptarë”.

Përveç abetares së unifikuar, dy qeveritë do të financojnë edhe enciklopedinë e përbashkët shqiptare. Në konferencën për shtyp të dy kryeministrave pati shumë interes edhe për marrëdhëniet personale mes tyre dhe çështjen ku dallojnë në qëndrime. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti u pyet për pjesëmarrjen e Kosovës në Ballkanin e Hapur, një nismë që po promovohet fuqishëm nga Edi Rama. Por Kurti tha se ajo çështje nuk është temë në takimet bilaterale Kosovë-Shqipëri, ndërsa qëndrimi i Qeverisë së Kosovës për Ballkanin e Hapur nuk ka ndryshuar.

ALBIN KURTI, KRYEMINISTËR I KOSOVËS
“Duhet të theksojmë që arritën marrëveshje protokolle dhe memorandume gjithsej 19 sot. Kjo është për tu përshëndetur. Marrëdhëniet tona janë të shkëlqyera dhe vëllazërore. Vëllezërit nuk kanë ndërmjetësues mes njeri tjetrit. Prandaj është kjo mbledhje për të forcuar dy shtetet tona në interes të qytetarëve. Për çështjen e ngritur ajo është e një dimensioni tjetër, jo bilaterale, pra jo mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe për atë nuk kam asnjë të re për t’ju thënë”.

Dy qeveritë nënshkruan gjithsej 19 marrëveshje dhe memorandume në fushën e drejtësisë, arsimit, bujqësisë, infrastrukturës, turizmit dhe sigurisë publike. Kryeministrat raportuan se kanë filluar të zbatohen thuajse të gjitha marrëveshjet e nënshkruara në mbledhjen e mëhershme të dy qeverive.