Evropa Perëndimore goditet nga i nxehti afrikan

Temperaturat arrijnë vlera rekord
Europa Perëndimore po goditet nga vala e të nxehtit afrikan. Me temperatura që kalojnë mbi 40 gradë celcius po përballet Spanja e cila po përjeton të nxehtin më ekstrem në 4 dekadat e fundit. Zjarrëfikësit po luftojnë atje edhe me flakët për shkak të thatësirave.

Edhe Italia ka regjistruar temperatura rekord të cilat sipas ekspertëve rrezikojnë humbjen e gjysmës së prodhimit bujqësor. Në Francë temperaturat pritet që të arrijnë gjatë fundjavës në vlerat 42 gradë celcius në disa zona të vendit. Të shumtë janë qytetarët të cilët kanë zgjedhur të qëndrojnë poshtë hijeve të pemëve apo të freskohen nën shatërvanet e qytetit.

Shumë aktivitete në ambiente të hapura në Francë janë ndaluar si pasojë e temperaturave të larta. Në Britani u shënua këtë të premte dita më e nxehtë e vitit me temperatura që arrinin 34 gradë celciush. Shumë qytetarë ju drejtuan plazheve. I nxehti ekstrem që ka pushtuar Europën, por jo vetëm, vjen si pasojë e masave ajrore nga Afrika.