Kosovë: Sot u mbajtën dy protesta, këto ishin kërkesat e protestuesve


Disa kërkojnë t’u rritet pensioni i veteranit, të tjerë duan t’u mundësohet tërheqja e kursimeve pensionale. Dy protesta u zhvilluan të enjten në Prishtinë, me kërkesat për më shumë para. Pjesëmarrësit thanë se çmimet e konsumit dhe të shërbimeve rriten gati çdo ditë, ndërsa pagat u mbeten të njëjta. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, norma e inflacionit në muajin maj është rritur për 12.5 për qind, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

“Si të jetohet me këtë pension të veteranit, me 13 anëtarë të familjes?”, pyeti Destan Berisha, veteran i luftës në Kosovë. I klasifikuar në këtë kategori, ai merr një pension prej 170 eurosh në muaj.
“Janë pak, rryma shtrenjtë, çmimet tjera shtrenjtë”, tha ai. Sipas veteranit nga Peja, disa anëtarë në moshë pune të familjes së tij nuk punojnë dhe shumë gjëra ushqimore që blihen në shtëpinë e tij, “varen nga pensioni që merr ai”.

Berisha, 64 vjeç, tha për Radion Evropa e Lirë se gjatë luftës në Kosovë, ka shërbyer si transportues i armatimit për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ai tha se do të vazhdojë të protestojë derisa të ketë një vendim për rritje të pensioneve të veteranëve.

“I kemi të drejtat tona. Vetëm neve, veteranëve, na kanë harruar. Të gjithëve po ua rrisin pagat, neve jo”, u shpreh Berisha. Më 14 qershor, Kuvendi i Kosovës ka votuar në parim një projektligj, që hap rrugë për rritjen e pagës minimale: nga 130-170 euro sa është aktualisht, në 264 euro bruto, apo 250 euro neto. Projektligji, megjithatë, nuk e lidh më pagën minimale me vlerën e pensionit të veteranëve të luftës, siç ka qenë në të kaluarën.

Kështu që, nëse projektligji miratohet edhe në leximin e dytë ashtu siç është, veteranët do të vazhdojnë të marrin nga 170 euro në muaj. Veteranët kanë mbajtur një protestë të ngjashme edhe më 6 qershor, ndërsa, të enjten e 16 qershorit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka propozuar një takim me veteranët, por nuk është ende e qartë nëse ai do të mbahet.

Sipas të dhënave të Qeverisë së Kosovës, statusin e veteranit luftëtar e kanë 53,188 persona, kurse, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, 37,006 veta janë përfitues nga skema për veteranët e luftës. Shkëlzen Spahiu, në anën tjetër, protestoi të enjten për tërheqjen e mjeteve nga Fondi i Kursimeve Pensionale. Ky 36-vjeçar nga Prishtina tha se këto para do t’i shërbenin për të blerë ushqime ditore dhe për t’i kthyer disa borxhe.

“Është e drejta jonë… pastaj, secili mund të vendosë se a dëshiron t’i tërheqë apo jo. Unë që e kam moshën më të re, mund ta kompensoj me kalimin e kohës atë pjesë të kursimeve që e tërheq”, tha Shkëlzeni. Qeveria e Kosovës pati mundësuar tërheqjen e 10 për qind të kursimeve pensionale në vitin 2020, pas krizës ekonomike që shkaktoi pandemia e koronavirusit.

Shkëlzeni tha se e ka shfrytëzuar këtë mundësi, e cila, siç u shpreh, ka qenë ndihmesë për familjen e tij 4-anëtarëshe. Protestë me kërkesat për tërheqje të kursimeve pensionale ka pasur edhe më 26 maj. Këtë kërkesë – për tërheqjen e deri në 30 për qind të mjeteve – e ka bërë fillimisht subjekti opozitar, Partia Demokratike e Kosovës.

Qeveria e Kosovës kundërshton, me arsyetimin se një gjë e tillë nuk i ndihmon kategoritë në nevojë, pasi që edhe vetë përqindja e fondit pensional të tyre është e ulët. Tërheqja e mjeteve do të ishte rrënim i Trustit Pensional, ka thënë më 1 qershor kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Fondi Monetar Ndërkombëtar është shprehur po ashtu kundër, ndërkohë që ekspertët e ekonomisë në Kosovë janë të ndarë.

“Nuk mendoj se është zgjidhje e mirë. Ta marrim tani bazën materiale të moshës së pensionit, për shkak të disa krizave, për shkak të rritjes së çmimeve, nuk është e arsyeshme”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave i Kosovës, Haki Shatri. Sipas tij, Qeveria do të mund të ndërhynte me masa të tjera, si zbritja e akcizës apo ulja e TVSH-së, për të ndihmuar qytetarët. Por, për profesorin e ekonomisë, Muhamet Sadiku, tërheqja e kursimeve pensionale është një alternativë.

“Kosova ka mundësi të kufizuar buxhetore për të intervenuar, prandaj kërkohet intervenim nga burimet tjera, siç janë edhe kursimet pensionale”, ka thënë Sadiku. Të gjithë të punësuarit në Kosovë paguajnë 10 për qind kontribute pensionale nga paga e tyre: 5 për qind i paguan punëdhënësi, kurse 5 për qind ndahen nga paga e të punësuarit.

Kursimet pensionale mund të përdoren nga kontribuuesi vetëm pasi t’i përmbushë kriteret për pensionim, përkatësisht arritjen e moshës 65-vjeçare. Rritja e çmimeve në Kosovë ka nisur nga viti 2020, kur edhe ka shpërthyer pandemia e koronavirusit. Hov më të madh atyre u ka dhënë pushtimi rus i Ukrainës, i cili ka nisur në fund të shkurtit.

Si Rusia, ashtu edhe Ukraina janë ndër eksportueset më të mëdha të drithërave në botë dhe lufta mes tyre ka shkaktuar çrregullime në tregje. Në prill, Qeveria e Kosovës ka ndarë 100 milionë euro për kategori të ndryshme të shoqërisë, për t’i ndihmuar, siç është thënë, të përballojnë situatën e krijuar nga çmimet në rritje./rel