Vetëm dy muaj para se të bëhej zv.ministër i Shëndetësisë, Agim Çaka, kishte paguar gjobën prej 7 mijë eurosh – gjobë e cila i ishte dhënë barnatores së tij, për shkak të kontrabandimit të barnave dhe funksionimit të biznesit pa licencë. Emërimi i tij në këtë pozitë përbën konflikt interesi, për arsye se ai vazhdon që të ketë në funksion biznesin e tij, për shitjen e barnave
Dy muaj pasi që Agim Çaka ka arritur ta paguajë dënimin ndaj shtetit është emëruar zëvendësministër në Ministrinë e Shëndetësisë. Ai ishte dënuar për shkak të kontrabandimit të barnave pa licencë. Gjoba prej 7 mijë eurove i ishte shqiptar në vitin 2014, por që nuk e kishte shlyer deri në fund të muajit janar të këtij viti.
Inspektorati Shëndetësor i kishte shqiptuar Çakës dënimin fillimisht prej 14 mijë euro më 13 janar të vitit 2014. Ish-kryetari i Shoqatës së Farmaceutikës së Kosovës ishte dënuar për shkak se inspektorët kishin konstatuar se Çaka kishte ushtruar veprimtari të jashtëligjshme me barnatoren e tij “Rigoni”.
“Organi i Inspektoratit Farmaceutik për Produkte dhe Pajisje Medicinale, për arsyeje të operimit Ilegal, përkatësisht të cenimit të dispozitave të nenit 16 para.1 të Ligjit Nr. 03/L-188 për Produkte dhe Pajisje Medicionale, qarkulluesit farmaceutik me pakicë të sipër shënuar, pos që i është ndaluar veprimtaria pa licencë dhe për qarkullim të produkteve pa autorizim marketingu për qarkullim në tregun e Republikës së Kosovës, i është shqiptuar edhe ndëshkimi mandator, në vlerë, prej 14.000.00 (katërmbëdhjetmijë euro, thuhej në një aktvendimin që e ka siguruar Insajderi.
Masën ndëshkimore prej 14 mijë eurove, tashmë zv.ministri Çaka, e kishte konsideruar si të pa arsyeshme. Ai kishte bërë ankesë në shkallën e dytë ku më pas Bordi i Ankesave megjithëse kishte refuzuar ankesën e tij kishte bërë një ndryshim të vogël në gjobën ndaj zv/ministrit të tanishëm.
Shuma prej 14 mijë eurove ishte përgjysmuar në 7 mijë euro. Kësisoj Çakës i ishte zbritur gjoba për funksionim të jashtëligjshëm me barnatoren e tij.
“Qarkulluesi Farmaceutik me Pakicë “Rigoni” me seli në Kaçanik, brenda afatit ka ushtruar ankesë, në të cilën ndër të tjera, thekson se kundërshton vendimin e Organit të shkallës së parë për shkak të cenimit të dispozitave pozitive dhe vërtetimit jo të plotë të gjendjes faktike, për arsye se subjekti juridik ka pasur licencë dhe ishte në fazën e rilicencimit, prandaj subjekti nuk mund të trajtohet i pa licencuar, siq është i pa bazuar edhe konstatimi se subjekti operon pa farmacist përgjegjës sepse Mr.Ph. Agim Çaka, pronar i subjektit juridik është farmacist dhe i njëjtë e respekton orarin e punës, kurse barnat pa afat ishin të ndara dhe të përgatitura për shkatërrim dhe kërkon që Organi i shkallës së dytë, të njëjtin, ta anuloj si të kundërligjshëm, ndërsa ankesën ta mbrojë si të bazuar në dispozita pozitive”, thuhet në aktvendimin e shkallës së dytë siguruar nga Insajderi.
Biznesi i Çakës kishte funksionar pa licencë për afro një vit. Licenca barnatores i kishte skaduar në janar të vitit 2013, ndërsa nuk e kishte vazhduar atë edhe pas një viti në janar të vitit 2014, athëherë kur ishte zbuluar nga inspektorët.
“Në shkresat e lëndës, përkatësisht nga provat relevante, konstatohet se subjekti juridik i sipërshënuar produktet medicinave për përdorim të njerëzve, me rastin e inspektimit i ka dispenzuar dhe qarkulluar me pakicë si subjekt i pa licencuar nga Ministria e Shëndetësisë për faktin se lincenca kishte afat prej dt. 14.1.2008 deri më dt.14.01.2013, ndërsa kontrollimi inspektues është kryer më dt.13.01.2014 (më se një vit) dhe se qarkullon produktet pa të drejtë autorizimi marketingu për qarkullim në tregun e Republikës së Kosovës”, thuhet në aktvendim.
Megjithatë shkalla e dytë kishte vërtetuar se barnatorja e zv/ministrit, Çaka, kishte rrezikuar shëndetin publik.
“Përkundër kësaj, vlen për të potencuar se parregulluesit e konstatuar nga organi i shkallës së parë janë të natyrës së rënd, kur të merret parasysh se me veprime të kundërligjshme, drejtpërsëdrejti rrezikohet shëndeti publik”, thuhet në aktvendim.
Dy muaj pasi e lau dënimin emërohet zv/ministër
Agim Çaka, dënimin prej 7 mijë eurove i ishin dashur katër vite që ta paguajë. Më saktësisht dy muaj para se të emërohej zv/ministër i Shëndetësisë.
Kjo është konfirmuar për Insajderin nga Ministria e Shëndetësisë, ku përmes një përgjigje me shkrim nga zyra për komunikim sqarohet se gjoba nga Çaka ishte paguar përfundimisht më 29 janar të këtij viti.
“Subjekti ‘Rigoni’ me seli në Kaçanik, ka kryer obligimet e vendimit të datës 23.07.2014, me nr te protokollit 592/1 te lëshuar nga Komisioni për ankesa i AKPPM-së përmes Përmbaruesit privat, ku si kreditor është AKPPM dhe debitor barnatorja “Rigoni” në Kaçanik, me nr të protokollit 756/14 të datës 13.10.2014, kurse data e fundit të shlyerjes së detyrimit nga ky subjekt figuron 29.01.2018”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.
Insajderi ka kërkuar më tej sqarimi nga Nisma Socialdemokrate për emërimin e Çakës në këtë pozitë, por që kanë refuzuar të flasin për këtë çështje. Ashtu siç ka refuzuar të flas vetë Çaka. Pozita e të cilit ai mban mund të shkaktojë konflikt interesi për shkak të funksionimit të biznesit të tij me barna.
Po ashtu edhe në vitin 2011, siç raportonte portali Kosovaonline, Inspektorati Farmaceutik kishte konfiskuar barna të kontrabanduara në kompaninë N.T.P Rigoni.
Çaka par tri dite u emërua në postin e zv/ministrit në vend të Muharrem Kuçit. Ai është njeri i afërt me kryetarin e NISMës Socialdemokrate, Fatmir Limaj. Çaka para se të merrte pozitën e zëvendësministrit të Shëndetësisë ka shërbyer si këshilltar politik i zëvendëskryeministrit Limaj që nga viti 2017.
Para kësaj, në Zgjedhjet Lokale të vitit 2017 Çaka ka qenë edhe kandidat për kryetar të Komunës së Kaçanikut nga radhët e Nismës Socialdemokrate.
Çaka ende figuron pronar i kompanisë N.T.P Rigoni në Kaçanik, për të cilën kishte deklaruar vitin e kaluar në Agjencinë Kundër Korrupsion (AKK) se ka një kapital prej 63 mijë eurove./Insajderi.com