Defekti në rrugë i detyroi të ndalen, hajnat ua vjedhin mijëra euro mërgimtarëve nga Zvicra


Hajnat në Kosovë përveç shtëpive e biznese të ndryshme që i kanë cak për t’i bërë qyl, siç duket janë në gjendje edhe të shfrytëzojnë fatkeqësinë e dikujt, që të ‘kapin’ sado pak para e gjësende me vlerë. Një rast i tillë ka ndodhur edhe në magjistralen Prishtinë-Pejë, kur dy mërgimtarë që po udhëtonin nga Aeroporti i Prishtinës për në shtëpi, u përballën me disa të dyshuar që ua vodhën paratë e dokumentet.

Sinjali mëson se rasti ka ndodhur në orët e mbrëmjes, derisa vetura me të cilën po lëviznin gruaja e moshuar bashkë me bashkëshortin kishte defekte, për çka u detyruan të ndalen në mes të rrugës dhe të kërkojnë ndihmë nga qytetarët përreth.

Por atyre u doli në ‘ndihmë’ një veturë, në të cilën ishin disa persona, të cilët tentuan gjoja t’i ndihmonin çiftit në rregullimin e defektit në veturë. Përveç që s’i ndihmuan, mërgimtarët mbetën edhe pa para, pasi të dyshuarit ia morën gruas një çantë ku kishte dokumente të ndryshme dhe mbi 2000 euro.
Përballë këtij rasti me të cilin u ballafaquan posa arritën në Kosovë, mërgimtarët denoncuan rastin në Polici, ku me urdhër të prokurorit kanë nisur hetimet për kapjen e të dyshuarve.