Tetovë: Ekspozitë ”Sanxhaku histori e dhimbjes kombëtare”


MBI 60 FOTOGRAFI QË DËSHMOJNË TË KALUARËN E ASAJ POPULLATE

Me moton “Sanxhaku histori e dhembjes Kombëtare”, të shtunën në Tetovë Shoqata e shkrimtarëve “Oeneum” në bashkëpunim me “Shoqatën Kosova për Sahxhakun”, hapën ekspozitën me mbi 60 fotografi që dëshmojnë të kaluarën e asaj popullate që jetojnë në një krahinë të quajtur Sanxhaku i Pazarit të Ri, raporton KlanMacedonia.

Ekspozita“Sanxhaku histori e dhembjes Kombëtare”, dëshmon krenarinë e shqiptarëve para pushtimit nga sllavët dhe dhimbjen e së sotmes pas njëqind viteve asimilim dhe pastrim etnik ku shqiptarët jetojnë vetëm me kujtesën shqiptarë e frymojnë shqip me frikën se e nesërmja do të hapë varre të reja,nëse nuk deklarohen si boshnjak, serb apo malazias. Ekspozitën të hapur e shpalli Ali Daci, nënkryetar i Shoqatës Kosova për Sanxhakun

“Nuk do të flas shumë, pasi që këto fotografi do të flasin vetë, dhe me këto pak fjalë unë e shpall të hapur këtë ekspozitë”, tha Ali Daci – nënkryetar i Shoqatës Kosova për Sanxhakun

Kryetari i “Shoqatës Kosova për Sanxhakun” Ismet Azizi theksoi se ekspozita do të hapen në katër qendra në Kosovë, dy në Maqedoninë e Veriut, në dy qendra në Shqipëri dhe një në Mal të Zi ku pret të zgjoj interesim të madh te publiku.

“Porosia është që është momenti i fundit që dy shtetet, pse jo edhe shqiptarët janë pjesë e shtetit të Maqedonisë Veriore, t’i çelim sytë dhe të bëjmë diçka në aspekt të ndërprerjes, stopimit të asimilimit, sepse sipas gjitha gjasave ne duhet ta pranojmë ajo po vazhdon, po vazhdon në Sanxhak, po vazhdon në Mal të Zi, në Tivar, Plavë, Guci, Tuz, po edhe Ulqin, po vazhdon në pjesën dërmuese të Maqedonisë perendimore, e mos flasim për Shqipërinë jugore”, deklaroi Ismet Aziri – kryetar i shoqatës Kosova për Sanxhakun.

Sekretari i Shoqatës së shkrimtarëve “Oenuium” Rami Kamberi theksoi se në Tetovë, beson se Sanxhakut, gradualisht me kësisoj iniciativash do ti kthehet vetëdija kombëtare dhe do të kthehet fryma shqip e sanxhakut.

“Mendoj se kjo dhembje që flet pë burat që bënë rezistencën më të madhe të kombit tonë pë të mbijetuar shqip po na përsëritet edhe neve në Maqedoni në teritorin tonë që i takon shtetit sot për sot me kufinjët administrativ po na zbrazet siç janë ikja e shqiptarëve nga Velesi, Resnja, Ohri, Struga ose asimilimi i tyre”, tha Rami Kamberi – sekretar i shoqatës së shkrimtarëve Ouneum.

Ekspozita në fjalë pritet të ndikoj në masa të duhura te studentët aktual dhe tek ato që do të vijnë të merren me studimin e këtij rajoni, që i jepë kontribut të madh në ngritjen e vetëdijes kombëtare te viset shqiptare që pothuaj se janë të asimiluara.