Shkruar nga Çun Lajçi:
Ah ç’me dëshpërove!
M’thot jam Shuipi i Shipkovicës!M’ke harrua sigurisht, se 98-ta, tani asht kohë e largët. N’Maçerate t’Itales kam shitë bileta për koncertin tand, “Kosova djep lirie”!
Jo, Haruni, vllau i vogël shiste e korigjon me nxitim vetën. Unë merresha me organizimin e koncertit, sepse ishte diçka madhështore ti ndihmosh Kosovës n’kohë lufte!
Dhe afrohet nji djalë i gjatë e me merr ngryk. Unë jam Haruni, m’thotë dhe nuk ngihet tue m’përqafë.
Po! Tamam burr burrash dukej. Para 24 vitësh ishte fare i ri. Eh! Atje i takova, 98-tën, dhe ja, sot i takoj n’Tetovë, në nji hotel që me sa mbaj mend quhej NB! S’jam i sigurt!
Atëherë ishe n’pupa bac, m’thot Shuibi, aç n’za ishe sa m’asht dashtë, mos me iu lanë me dalë nga skena, pa e fillua edhe njiherë koncertin.
Para Teatrit ma t’mirë t’qytetit, ishin grumbullua shqiptarët, që kërkojshin me hi, me iu pa, por s’kishte vende ma, e ata nuk shpërndaheshin. E dojshin plisin tand me dhe Kosove!
Erdhën zjarrfiksit e policia me vu rend dhe unë isha n’hall, se kërkohej për të tretën herë koncerti, e ju duhej me udhëtua për Rambuje, n’përkrahje të delegacionit kosovarë! Erdha edhe unë me juve! Iu kujtohet?
Të kujtohet bac, sa n’formë ishe? Sa shumë të donte populli?
Po i them po, dhe pa dashje m’del njo ofshamë!
Çka ke, me pyet? Pse ke dalë n’Tetovë?
Isha me shitë libra n’trotuar, afër teatrit, i përgjigjëm, e tani po shkoj në Gostivar me provua fatin!
Ti me shitë libra n’rrugë? Çuni i plisit? I dheut të Kosovës?
Ah ç’me dëshpërove m’thotë, dhe i merr dy libra e niset tek dyqani i vet!
Po i them po, edhe mua m’kan dëshpërua do trima, po ja që po ha bukë hala dhe nisëm për Gostivar!
Gostivar,13.05.2022