Skender Rexhepi e quan Bekim Sali ministër të “Kopshtit Zoologjik”


Kanë vazhduar përplasjet tek Alternativa dhe debatet mes deputetit Skender Rexhepi – Zejd dhe ministrit të shëndetësisë nga e njejta parti, Bekim Sali. Këto zhvillime pasojnë pasi që Zejdi theksoi në Click Plus në TV21 se nëse Alternativa nuk arrin të zbatojë pikat e programit të dakorduara me mazhorancën, duhet të largohet nga Qeveria.

“Alternativa u bë pjesë e qeverisë për shkak të platformës së dakorduar programore, jo për shkak të funksioneve politike që ajo mori. Fatkeqësisht, 100 ditët nuk kanë sjellë ndonjë ndryshim, deri më tani asnjë nga pikat e dakorduara nuk është realizuar”, ka deklaruar Zejdi.

Por, ministri i shëndetësisë, Bekim Sali që njëherit është edhe sekretar gjeneral i Alternativës theksoi se deputeti Rexhepi-Zejdi të gjitha mospajtimet duhet ti shprehë brenda partisë dhe jo në media.

“Nuk mund të komentoj deklaratat të cilat shprehen në publik dhe nuk shprehen në organet partiake nga individë që nuk ka marrë pjesë një në mbledhje të partisë në lidhje me pjesëmarrjen në qeverisje. Çdo të hënë partia Alternativa ka koordinim dhe mbledhje për evoluimit të veprimit politik, nuk ka pasur ndonjë pakënaqësi të mundshme të shprehur në organet partiake”, theksoi ministri Sali për TV21.