Dita e parë e bllokadës së paralajmëruar aktive të Kuvendit filloi me debat të ashpër dhe atmosferë të tensionuar. Deputetët e opozitares VMRO-DPMNE para foltores dolën me pankarta në të cilat shkruante – bllokadë aktive për shpëtim nacional, por edhe me mesazh se do të fillojnë t’i bllokojnë, siç thanë, ligjet e dëmshme, duke shtuar se rrugëdalja e vetme nga kjo situatë janë zgjedhjet e parakohshme. Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi u lexoi një pjesë të Raportit të Parlamentit Evropian në të cilin janë shprehur të gjitha mendimet pozitive për punën e Kuvendit.
“Nëse bllokada e Kuvendit për ju do të thotë shpëtim kombëtar, këtë do ta vlerësojnë qytetarët që na sollën këtu, do ta vlerësojnë qytetarët, shtëpia e të cilëve është kjo. E kjo nuk është as shtëpia ime, e as shtëpia juaj, por është e qytetarëve. Nëse mendoni ashtu, vazhdoni ta bllokoni në mënyrë aktive”- deklaroi Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit.
Koordinatori i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski tha se shpëtimi i vetëm është bllokada aktive dhe rikujtoi për seancën e djeshme të Komisionit Juridik Ligjvënës, ku ishte bllokuar interpretimi autentik i Ligjit për Lojërat e Fatit.
“Mendoja se do të donit të na shpjegonit çfarë është ky interpretim autentik i marrëveshjes për investim dhe themelim të përbashkët të një shoqërie tretar për organizimin e lojërave elektronike të fatit, marrëveshje të cilën deshët ta kaloni dje, duke marrë parasysh se bëhet fjalë për 10 milionë euro? Do të jemi aktivë këtu dhe në mënyrë aktive nuk do të lejojmë që krime të këtilla të përmasave të mëdha të cilat do të duhet t’i hetojë Prokuroria, të kalojnë në derë të vogël. Opozita do të jetë e pranishme, do të ketë bllokadë aktive”- pohoi Nikolla Micevski, koordinator i VMRO-DPMNE-së.
Për këtë akuzuan edhe nga Aleanca për shqiptarët:
Koordinatori i LSDM-së, Jovan Mitrevski akuzoi se opozita po bën cirk në Kuvend.
“Ju mund të dilni me pankarta siç dolët tani 30 veta, sepse për shpërndarjen e Kuvendit duhet 61. Kjo është normale, kjo është pjesë e cirkut që po e bën opozita. Së dyti: është mirë që dolët dhe u fotografuat me këtë pankartë, shpresoj se fotoja do të publikohet në mënyrë masive që të shihet se cila është e vetmja opozitë që e bllokon Kuvendin në kohë krize”, tha Jovan Mitrevski, koordinator i LSDM-së.
Kundër bllokadës janë edhe Alternativa, edhe BDI-ja.
VMRO-DPMNE, paralajmëroi se në periudhën që vijon do ta bllokojë Kuvendin në mënyrë aktive, gjegjësisht derisa pushteti nuk pajtohet të mbahen zgjedhje të parakohshme parlamentare.