Parada ushtarake e Putinit për Ditën e Fitores përfundimisht kaloi pa disa njoftime tektonike që janë spekuluar prej ditësh. Sundimtari rus nuk i shpalli një luftë totale Ukrainës, nuk njoftoi përdorimin e armëve bërthamore dhe as nuk la të kuptohet se pushtimi së shpejti do të merrte fund.
Vladimir Putin vetëm përsëriti arsyet pse sulmoi Ukrainën, deklaroi se gjithçka po shkonte sipas planit dhe e krahasoi pushtimin me Luftën e Dytë Botërore në të cilën Rusia mposhti nazistët. Shumë vunë re mungesën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm rus, Valery Gerasimov, të cilën shumë e interpretuan si domethënëse. Vitin e kaluar, Gerasimov ishte një nga anëtarët më të shquar të udhëheqjes ushtarake në paradë.
Pritej që duke pasur parasysh rolin dhe gradën e tij, Gerasimov të ishte një nga njerëzit që do të qëndronte pranë Putin-it në një ngjarje të tillë. Përveç kësaj, ai konsiderohet si një nga tre personat, përfshirë Putinin dhe Sergei Shoigu, të cilët planifikuan pushtimin e Ukrainës. Sipas raportimeve të caktuara, shkak për mungesën e Gerasimov është lëndimi gjatë vizitës në fushën e betejës në Donetsk.
Disa raporte mediatike thonë se Gerasimov u plagos dhe u detyrua të evakuohej nga zona e luftës Izjum në rajonin e Kharkiv të Ukrainës në fund të prillit. Megjithatë, as zyrtarë rusë dhe as amerikanë nuk i kanë konfirmuar këto raporte, shkruan BBC. Në luftën e deritanishme janë vrarë një numër i madh i gjeneralëve rusë, gjë që u mor si një nga treguesit e organizimit të dobët të ushtrisë ruse.