Afati i dhënë nga VMRO-DPMNE-së për fillimin e bisedimeve për zgjedhjet e parakohshme skadon sot, dhe nëse nuk ka marrëveshje për lidership për këtë çështje, opozita nga nesër ka paralajmëruar bllokadë aktive të Kuvendit.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski dje ishte i vendosur se nuk do të ketë takim lidershipi të bazuar në shantazhe dhe kërcënime, ndërsa bllokadën e paralajmëruar gjatë luftës në Ukrainë dhe në kohë krize e cilësoi si hap të papërgjegjshëm.
Nga aeroporti sportiv “Stenkovec” në Shkup ku u mbajt Dita e hapur për ekspozimin e avionëve që është pjesë e stërvitjes “Swift Response 22”, kryeministri Kovaçevski tha se mund të ketë takim lidershipi, por për çështjet që janë strategjike, që nënkupton një jetë më të mirë të qytetarëve dhe lidhur me përballjen me krizën energjetike.
“Mbledhje lidershipi e bazuar në shantazhe dhe kërcënime, duke e parë kryetarin e VMRO-DPMNE-së duke numëruar mbrapsht si në një film të keq aksion, nuk do të ketë, ky është qëndrim i të gjitha partive politike nga blloku ynë”, tha Kovaçevski.
Lidhur me shpalljen e bllokadës së Kuvendit nga partia më e madhe opozitare gjatë luftës në Ukrainë dhe në kohën kur çmimet e energjisë dhe ushqimeve janë vazhdimisht në rritje, ai tha se kjo është e papërgjegjshme dhe për qëllime politike.
Sipas OBRM-PDUKM-së, Maqedonia është në disa kriza, dhe këto kriza sipas tyre, shkaktohet nga krimi dhe paaftësia e menaxherëve në energjetikë dhe në ekonominë shtetërore.
“Të dyja krizat e mëdha janë rezultat i LSDM-së dhe BDI-së. Dhe nuk mund të japin zgjidhje, sepse nuk dinë dhe nuk kanë plan”, thonë nga partia opozitare.
Pas shpalljes së sondazhit dje, LSDM-ja theksoi se ky hulumtim është një përpjekje e dëshpëruar e OBRM-PDUKM-së për ta inkurajuar Hristijan Mickoskin në hapat e tij destruktiv dhe bllokada me sondazhe të porositura dhe të falsifikuara.
Nga LSDM thanë se në Kuvend mbeten të bllokuara disa zgjidhje ligjore, si Ligji për Qendrën Klinike, Ligji për Mësimdhënësit dhe Bashkëpunëtorët Profesionistë në Shkollat Fillore dhe të Mesme, Ligji për Shërbimin në Ushtri dhe të tjera, vetëm për shkak të OBRM-PDUKM-së.