Bill Gates është shprehur se martesa e tij me Melinda ishte “e mrekullueshme” dhe se do ta zgjidhte të martohej “sërish”. Majin e shkuar, çifti lajmëroi divorcin pas 30 vitesh martesë, i cili u finalizua në Gusht, por ndërkohë vazhdojnë të drejtojnë së bashku fondacionin e tyre “Bill & Melinda Gates”.
Në intervistën me “The Sunday Times”, Gates foli mbi marrëdhënien e punës me ish-bashkëshorten e tij dhe ndjesinë pas divorcit. Biznesmeni tha se çdo martesë “kalon përmes një tranzicioni” pasi fëmijët rriten dhe largohen nga shtëpia prindërore.
“Fatkeqësisht imja kaloi përmes tranzicionit të quajtur divorc. Por nga këndvështrimi im ishte një martesë e shkëlqyer. Nuk do ta kisha ndryshuar. E di, nuk do të kisha zgjedhur dikë tjetër për martesë”.
I pyetur nëse do të martohej sërish, Gates tha: “Po. Po flas nëse do të martohesha me Melinda edhe njëherë. Sa i përket së ardhmes, nuk kam plane, por e rekomandoj shumë martesën”.
Ndërsa Melinda, në një intervistë në Mars për “CBS News” tha se mezi priste të binte në dashuri sërish. Ajo bëri të ditura edhe disa nga shkaqet që shkaktuan marrjen e vendimit të divorcit të saj nga Gates, mes tyre marrëdhënia e tij me pedofilin Jeffrey Epstein.