Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski në shkurt u lëvdua për 100 ditët e para dhe për 42 nga 80 komuna e marra, duke thënë se kanë filluar 1.096 projekte. Por, e gjithë kjo “shkoi në hije”, pasi thuajse i gjithë Shkupi mbeti pa rrymë… Dy muaj më vonë, në Operën dhe Baletin e Maqedonisë në vend të muzikantëve, performoi Qeveria, duke u lëvduar me punën e bërë në 100 ditët e para. Kryeministri Dimitar Kovaçevski, zbuloi se lexon komente në rrjetet sociale.
“Këto ditë lexova komente se kjo Qeveri nuk ka pasur fat, sepse që në ditën e parë u përball me sfida të mëdha. Krizë ushtarake dhe ekonomike që nuk mbahet mend. Është e vërtetë që sfidat, presioni dhe pritshmëritë janë të mëdha, por është fat që pikërisht kjo Qeveri ka përgjegjësinë që të përballet me të gjitha këto sfida”, tha kryeministri i RMV-së Dimitar Kovaçevski.
Eventi i organizuar filloi me paralajmërim për transparencë dhe llogaridhënie të Qeverisë. Ngjarja ishte emërtuar si “forum”, që nënkupton vend për debat të hapur në të cilin mund të marrë pjesë kushdo, por komunikimi ishte i njëanshëm. Qeveritarët në skenën iu përgjigjeshin pyetjeve të zëdhënësve, kurse publiku ishte pasiv. Kështu, më interesantë ishin celularët sesa folësit.
Disa ministra bënin shaka se do të nisin të dalin nga frigoriferi, ndoshta si tek spoti i Vuçiqit.
“Ndoshta edhe unë do të dal nga pjesa e ngrirë e frigoriferit, e me siguri do të dilja edhe nga furra, pasi flasim për produktet bazë ushqimore, ngrirjen e çmimeve, ngrirjen e marzheve…”, tha ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Tema për mjedisin jetësor dhe fjalimi i ministrit përgjegjës, duket se ishin më të bezdisshëm për ministrin e Vetëqeverisjes Lokale, Goran Milevskin dhe të parin e Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarskin. Disa ministra madje u larguan nga forumi derisa zgjaste fjalimi i kolegëve të tyre…
Gazetarët edhe pse të ftuar, nuk u lejuan të parashtrojnë pyetje. Kështu, zëdhënësit e Qeverisë i parashtruan pyetje ministrit për arsim, Jeton Shaqiri për planet për zhvillim, në vend që ta pyesin për grevën e mësimdhënësve dhe ndërprerjen e mësimit.
E gjithë ngjarja u mbajt në skenë me video ekrane të mëdha dhe shumë mysafirë. Por, të gjithë harruan pandeminë dhe rekomandimet të cilat vetë ata i dërguan para disa ditësh, e me të cilat thuhet se edhe pse masat po shfuqizohen, distanca prej 2 metrash duhet të respektohet.
Ndryshe, vlerësimi i punës së bërë brenda 100 ditëve buron nga tradita politike amerikane, por nuk shërben që politikanët të mburren me projektet e tyre, por vetë qytetarët të vlerësojnë se në cilin drejtim lëvizin njerëz që i kanë zgjedhur.