Presidenca çeke e BE-së, që do të nisë në korrik 2022, ka të ngjarë të ketë si prioritet çështjen e zgjerimit të unionit në Evropën Juglindore. Megjithatë, fjalët duhet të pasohen nga veprimet konkrete.
Pushtimi rus i Ukrainës ka forcuar vendosmërinë e evropianëve për të mbrojtur demokracinë dhe arkitekturën e sigurisë së Evropës. Njëkohësisht, shumë politikanë dhe akademikë i kanë kthyer sytë nga Ballkani, të frikësuar se çfarë është në gjendje të bëjë ndikimi rus në një rajon të mbërthyer nga paqëndrueshmëria politike, problemet ekonomike dhe ikja e të rinjve nga vendi. Situata bëhet edhe më shqetësuese për shkak të tensioneve të vazhdueshme etnike që mbeten ende të pazgjidhura rreth tre dekada pas shpërbërjes së Jugosllavisë.
Mundësia e një pushtimi rus të gjashtëshes ballkanike– Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia – është e ulët, veçanërisht pasi Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë tashmë anëtarë të NATO-s. Megjithatë, Rusia mund të vazhdojë lehtësisht të destabilizojë rajonin dhe në këtë mënyrë të sabotojë gjasat e gjashtë vendeve për t’u bërë anëtarë të Bashkimit Evropian, për të cilin ata kanë aspiruar që nga viti 2005.
Tashmë janë ngritur pikëpyetje se si Bosnje-Hercegovina mund të bëhet anëtare e BE-së kur Milorad Dodik po ndjek aspiratat secesioniste të mbështetura nga Rusia për Republikën Srpska (entiteti me shumicë serbe në Bosnje-Hercegovinë). Ndërkohë aspiratat e Kosovës për anëtarësim në BE mbeten të bllokuara nga refuzimi i disa vendeve – përfshirë Rusinë dhe Serbinë – për të njohur pavarësinë e saj. Serbia, e cila tashmë është kualifikuar si një kandidate për anëtarësim në BE, vazhdon të arrijë një ekuilibër delikat midis përafrimit të saj me politikën e jashtme të BE-së dhe lidhjeve të saj kulturore dhe historike me “vëllanë e saj sllav”, Rusinë.
Ky tension ishte i dukshëm gjatë një konference për shtyp mes presidentit serb Aleksandar Vuçiç dhe ministres së Jashtme gjermane Annalena Baerbock më 11 mars, gjatë së cilës Vuçiç refuzoi të përmendte pushtimin rus, në vend të kësaj duke aluduar në mënyrë të turbullt për “çfarë po ndodh në Ukrainë”.
Çfarë mund të bëjë BE-ja?
Që nga fillimi i luftës së Rusisë kundër Ukrainës, politikanët evropianë kanë theksuar në mënyrë të përsëritur se ata e shohin të ardhmen e këtij rajonit brenda BE-së, duke deklaruar se një “perspektivë e bazuar në merita e anëtarësimit të plotë në BE për Ballkanin Perëndimor, është ende pjesë e politikës së sigurisë dhe e interesit ekonomik të unionit”.
Presidenca çeke e BE-së, që do të nisë në korrik 2022, ka të ngjarë të ketë si prioritet çështjen e zgjerimit të unionit në Evropën Juglindore. Megjithatë, fjalët duhet të pasohen nga veprimet konkrete. Në vend se të zvogëlohet mekanizmi kryesor i politikës së zgjerimit (Instrumenti i Ndihmës së Para-Anëtarësimit), siç u vendos gjatë ciklit buxhetor 2021-2027, fondet për rajonin duhet të rriten, në rast se Brukseli dëshiron të tregojë një përkushtim të vërtetë ndaj procesit të zgjerimit. /Përshtatur nga “London School of Economics”
*Studiuese në Institutin Gjerman për Çështjet Ndërkombëtare dhe të Sigurisë (SWP).