Zelensky: Ukrainës i nevojiten 7 miliardë dollarë në muaj për t’u rimëkëmbur


Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se shtetit të tij i nevojiten rreth 7 miliardë dollarë në muaj për t’u rimëkëmbur nga pasojat e luftës, raportoi BBC-ja të enjten.

Kjo kërkesë shënon rritje, pasi më herët Kievi zyrtar tha se i duheshin nga 5 miliardë dollarë në muaj për rimëkëmbje.

Duke folur në një forum të Bankës Botërore dhe FMN-së përmes videolidhjes, Zelensky tha se ushtria ruse po synon t’i shkatërrojë të gjitha objektet në Ukrainë që mund të shërbejnë si bazë ekonomike për jetën.

“Kjo përfshin stacionet hekurudhore, magazinat ushqimore dhe rafineritë e naftës”, ka thënë Zelensky.

Presidenti ukrainas ka akuzuar Rusinë se po kërcënon furnizimet globale të ushqimit me pushtimin Ukrainës.

Sipas tij, bllokada që Rusia ka vënë në qytetet porte në Detin e Zi e ka bërë të pamundur për vendin të eksportojë furnizime ushqimore si gruri.

Lufta e Rusisë në Ukrainë ka ndikuar në rritje të çmimeve të ushqimeve në vende që mbështeten në eksportet e drithërave nga ky vend.