36-vjeçari u gjet i vdekur në një bunker në Tiranë – U la aty nga miku i tij pasi vdiq nga mbidoza


Ditën e djeshme një 36-vjeçar, i identifikuar si Ilir Marku është gjetur i pajetë në një bunker në zonën e Institutit në Tiranë. Sot policia ka zbuluar detaje të reja rreth vdekjes së të riut.

Mediat raportojnë se është arrestuar Mariglen Isufi, 28 vjeç, i cili akuzohet nga për “fshehje të kufomës”.

Mësohet se i arrestuari, bashkë me Ilir Markun kanë qenë në afërsi të bunkerit, në një lendinë me bar, ndërsa kanë konsumuar lëndë narkotike.

Nga mbidoza, Ilir Marku ka humbur ndjenjat. Menjëherë pas ngjarjes, Mariglen Isufi është larguar për në banesë, duke e lënë shokun e tij vetëm. Mëngjesin tjetër ka shkuar sërish tek i njëjti vend dhe Ilir Markun e ka gjetur të vdekur. Trupin e pajetë të 36-vjeçarit e ka tërhequr zvarrë për 10 apo 15 metra dhe e ka futur në brendësi të bunkerit, duke e mbuluar me kartona.

Pas arrestimit, Mariglen Isufi, u tha hetuesve se nuk bëri denoncim në polici pasi kishte pasur frikë.