Ia mbajtën peng djalin 17 vjeçar! Kërçovari ka 4 vite që kërkon drejtësi, Prokuroria pa vendim për autorin


Rrafman Iljazi ka 4 vite që endet dyerve të prokurorisë dhe gjykatave në kërkim të drejtësisë. Në korrik të vitit 2019 atij i është kidnapuar djali 17 vjeçar, për siç shprehet, arsye banale. Djali i është mbajtur peng në shtëpinë e autorit deri në momentin që ka ndërhyrë policia. Që atëherë e deri më sot Iljazi endet dyerve të Prokurorisë së Kërçovës duke kërkuar që të dënohet kidnapuesi.

“Para katër viteve ka ndodhur kidnapimi i djalit 17 vjeçar, mirëpo këtu nuk merren masa nga organet, lëndët i mbajnë me vite dhe nuk i realizojnë si duhet, nuk ka drejtësi këtu”, deklaroi Rrafman Iljazi.
Rasti ka ndodhur për shkak të dy të rinjve të dashuruar. Kjo futi në problem dy familjet. E kidnapuesi për të cilin flet Iljazi, nuk e ka kidnapuar djalin që ishte në lidhje me vajzën e tij, por vëllain e tij.

“Rasti ndodhi për shkak të një çështje familjare si çdo i ri i cili dashurohet dhe pastaj lindën këto problem. Kidnapoi djalin por jo të njëjtin që ishte i dashuruar në vajzën e tij por kidnapoi djalin tjetër, djali u mbajtur në shtëpinë e tij derisa intervenoi policia”, theksoi Rrafman Iljazi.

Ai disa herë ka shkuar në Pakurori për të marrë informacione rreth rastit në fjalë por përgjigja që merr është se lënda është në vazhdim.
“Edhe në gjykatë kam qenë prezent vetë, vetëm se mundohen të të largojnë nga dera, ndërsa rezultat nuk ka”, pohoi Rrafman Iljazi.

TV21 pyeti Prokurorinë se deri ku është lënda, por përgjigja e vetme ishte se po punojnë për ta zbardhur rastin.
“Rasti për të cilën po shfaqni interes është në fazën e hetimit. Prokurori publik kompetent është duke ndërmarrë intensivisht veprimet hetimore për sigurimin e provave. Pas përfundimit të procedurës dhe sigurimit të të gjitha provave të nevojshme, do të merret vendimi i prokurorit publik”, thonë nga Prokuroria Publike-Kërcovë.

Për çështjen, Rrafman Iljazi e ka njoftuar edhe zyrën e Avokatit të Popullit në Kërçovë, të cilët nga Prokuroria kanë marrë përgjigjen e njëjtë, se po punohet në mbledhjen e dëshmive materiale. Nga Avokati i Popullit do të bëjnë ankesë edhe në Këshilli Prokurorëve për shqyrtimin e lëndës e cila tanimë 4 vite po qëndron në sirtarët e Prokurorisë së Kërçovës.