Sektori automobilistik në krizë, çmimet e larta vështirësojnë punën


Deri më tani nuk ka largime nga puna në sektorin automobilistik në Maqedoni, por disa punonjës janë dërguar në pushim të detyruar. Problemi nuk është vetëm lufta në Ukrainë. Për shkak të sanksioneve, të gjithë furnizuesit nga Rusia, Bjellorusia dhe Ukraina nuk janë në gjendje të marrin pjesë në zinxhirin global të furnizimit. Për më tepër, ka rritje të madhe të çmimeve të karburantit.

“Njerëzit nuk janë të sigurt nëse do t’i jepni paratë e fundit për një makinë të re apo do t’i blini fëmijës 10 kg miell. Kjo është një pyetje që shumë njerëz ia bëjnë vetes”, deklaroi Ognen Cubaleski, menaxher i një kompanie për pjesë të automobilave.

“Ajo që duhet bërë është përshtatja dhe optimizimi i prodhimit, që do të thotë se në një periudhë të caktuar kohore mund të ketë përdorim të pushimit të parakohshëm apo pushim të detyruar. Disa nga punonjësit shkojnë me rotacion prej 70%”, u shpreh Viktor Mizo, kryetar i Shoqatës së kompanive të huaja.
Shteti do e shqyrtojë mundësinë për ndihmë shtesë për këto kompani. Zëvendëskryeministri Fatmir Bytyqi thotë se do të kenë parasysh rezultatet e tremujorit të parë.

“Do të shohim sa reale janë mundësitë buxhetore për të ndërhyrë në këtë moment atje. Unë jam i prirë që çdo lloj mbështetje të përdoret në mënyrë efikase, nëse kjo në fund do të tregojë se do të ruhet konkurrenca e sektorit në vendin tonë”, tha Fatmir Bytyqi-Zëvendëskryeministër. Shkaku i krizës në sektorin e automobilave nuk është vetëm lufta në Ukrainë. Më parë, sektori u përball me probleme të mëdha financiare dhe logjistike për shkak të pandemisë, por edhe për shkak të mungesës globale të çipave elektronikë.
VIDEO