Kosovë – Miratohet projektligji për pagën minimale, ja sa do të jetë


Qeveria e Kosovës sot në mbledhje ka miratuar Projektligjin që e cakton pagën minimale në vlerë prej 264 euro bruto ose 250 euro neto. Kështu u vendos në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës. Po ashtu u vendos për heqjen tatimit për 250 euro pagë. Kryeministri i vendit, Albin Kurti tha se pavarësisht sa është lartësia e pagës, për pjesën e 250 eurove nuk do të ketë tatim në pagë.

“Për të përmbushur një premtim tjetër të programit qeverisës sjellim sot për miratim Projektligjin që do t’i hap rrugë rritjes së pagës minimale në 264 euro bruto ose 250 euro neto dhe për heqjen e tatimit për 250 euro. Pavarësisht sa është lartësia e pagës, për pjesën e 250 eurove nuk do të ketë tatim në pagë”, tha Kurti.
Ai po ashtu bëri të ditur se nga rritja e pagës minimale do të përfitojnë rreth 300 mijë punëtorë, kurse nga heqja e shkallës së parë tatimore do të përfitojnë të gjithë punëtorët.

Ministri Financave, Hekuran Murati tha se nevojitet të ndryshohen ligjet që ndërlidhen me pagën minimale.
Murati tha se paga minimale është instrument i tregut të punës dhe duhet t’i shërbej këtij funksioni.
“Kemi 10 vite që paga minimale ka qenë e pandryshuar dhe kjo shumë pastaj do të duhej të rishikohej në baza të rregullta në mënyrë që të përshtatet dhe reflektoj edhe rritjen ekonomike”, tha ai.
Ndryshe, paga minimale në Kosovë është 170 euro për moshën mbi 35 vjeç e 130 euro nën 35 vjeç dhe nuk ka ndryshuar që nga viti 2011.