Romët, të zhytur në mjerim dhe varfëri (VIDEO)


8 Prilli, dita ndërkombëtare e romëve u shënua në një ambient luksoz, ndërkohë që shumica e romëve në vendin tonë jetojnë në një realitet krejt tjetër. Komuniteti rom shpeshherë nuk gëzon as të drejtat themelore të njeriut, si e drejta për shëndetësi, arsim, punësim, madje një numër i lartë i tyre nuk posedojnë as dokumente identifikimi. Në rrethana të tilla të njëjtëve u pamundësohet integrimi social.

“Të ju them të drejtën ka diskriminim. Më e nevojshme është të kemi punësim. Nuk ka punësime e shikoni edhe vet. Nuk ka as mjek, ja po të shkoni do shihni se nuk ka gjinekolog”.
“Nuk kemi të drejtë për asgjë. Mjek nuk kemi, nëse paguajmë shërohesh nëse jo, asgjë. Nuk jemi të sistemuar si gjithë të tjerët.”
“Vetëm kur ka zgjedhje, atëherë vijnë. Jeta këtu është e vështirë.”

“Duhet të na sigurojnë gjinekolog këtu. Nuk kemi.”
Nga Komiteti i Helsinkit thonë se racizmi i rrënjosur është në thelb të diskriminimit të shumëfishtë me të cilin romët përballen çdo ditë dhe kjo shihet në qëndrimin e institucioneve ndaj tyre, por edhe në trajtimin që ata marrin nga shoqëria në tërësi.

“Diskriminimi racor është çështja kyçe që ka bërë që të gjitha politikat dhe masat e veçanta për këtë komunitet të mbeten të pjesshme, të pamjaftueshme dhe joefektive në praktikë me dekada. Krahas problemit të privimit të shumë romëve nga sistemi shëndetësor, shqetësues është edhe rritja e profilizimit racor të romëve në qasjen e tyre deri tek te drejtat dhe shërbimet”, thonë nga Komiteti i Helsinkit.

Qeveria thotë se në vazhdimësi ka ndërmarrë masa për komunitetin romë si ndarja e 73 milion denarëve si mbështetje për zbatimin e strategjisë për rritjen e potencialit ekonomik dhe përfaqësimin e romëve në institucione. Masa të tilla janë ndërmarrë edhe nga qeveritë e kaluara ndërsa veçohet projekti “Dekada e Romëve” që synonte përfshirjen e romëve në kopshte, hapjen e qendrave informative si dhe evidentimin e romëve në librat amë. Sipas rezultateve të regjistrimit të popullsisë në Maqedoni jetojnë rreth 47 mijë romë apo 2.34% nga numri i përgjithshëm i popullsisë prej rreth 1.8 milion banorë.