Djegësira e specave, për konsumatorët kosovarë, më shumë po vërehet në çmim se sa në shije. Një kilogram i tyre shkoi deri në 8 euro të martën, të paktën në një dyqan në Hajvali. 25 për qind më lirë se aty u shitën të martën në një rrjet dyqanesh. Por, për blerësit është shtrenjtë edhe 6 euro.
Tregtarët që nuk deshën të flasin para kamerës, thanë se po i shesin shtrenjtë pasi nuk i blejnë lirë nga furnizuesit. Këta të fundit gjenden me bollëk në Pazarin e Gjelbër në Prishtinë, ku u mësua se specat e shtrenjtë vijnë nga Greqia. Sipas disave këtu, ata që blihen në Maqedoni e Turqi janë të lirë, por tregtarët më pakicë po ua vënë çmimin e njëjtë, nëpër dyqane.
Ministria e Tregtisë nuk ktheu përgjigje nëse po merret me çmimin ekstrem të specave. Ish-kryeinspektori i Tregut, Lulzim Syla, thotë se do të duhej të kishte veprime më të shpejta. Në bazë të të dhënave të Agjencisë së Statistikave, i bie që të paktën të martën, një kilogram speca djegës kushtoi më shtrenjtë se sasi e njëjtë mishi të vicit, që ishte 7 euro e 88 centë.
Në Shkup dhe qytetet tjera të Maqedonisë së Veriut çmimi i specave sot ka levizur prej 2.5 deri 3 euro (155 deri 185 denarë) për kilogram. Maqedonia e Veriut është e njohur për qendra bujqësore si Strumica, Gjevgjelia, Vallandova, ku kulturat bujqësore kultivohen nëpër oranzheri, por ato janë prezente në masë të madhe edhe në Luginën e Shkupit dhe në qytete tjera. Ky është shkaku pse tek ne gati gjithmonë çmimet e perimeve janë më të ulëta.