Në qytetin e Dibrës janë regjistruar fëmijët e parë të cilët kanë sëmundjen e varicelës, respektivisht lijes së dhenve. Sëmundja ngjitëse e varicelës sipas të dhënave të institucioneve shëndetësore në Dibër tradicionalisht paraqitet në sezonin pranveror. Kështu ditëve të fundit varicela është prezent në mesin e fëmijëve në Dibër, thonë nga Njësia për Shëndet Publik.
Udhëheqësi i Njësisë për Shëndet Publik në Dibër, epidemiologu Mentor Mela për gazetën KOHA ka deklaruar se janë evidentuar katër rastet e para me sëmundjen varicela. “Bëhet fjalë për fëmijë të moshave 6-7 vjeçare nga të cilët tre janë në shkollat fillore dhe një fëmijë në çerdhen ‘Breshia’ të Dibrës”, tha ai. Sipas Melës të katër pacientët janë në gjendje të mirë dhe kanë marrë tretmanin e duhur për shërim në kushtet shtëpiake. Sipas tij, është një sëmundje ngjitëse dhe kalon gjatë fëmijërisë. Kemi ndërmarr të gjithë aktivitetet me qëllim që sëmundja të mos përhapet pasi që është një sëmundje që shpejt përhapet me çka virusi shpejt kalon nga fëmija në fëmijë. “Transmetimi i infektimit është sidomos aktiv nëse fëmijët janë në ambient të mbyllur dhe në një numër të theksuar. Aktivitetet tona të deritashme gjatë viteve të kaluara tregojnë se nëse tretmani shëndetësor bëhet me kujdes fëmijët shërohen shpejt dhe pa probleme”, thekson Mela duke shtuar se kjo sëmundje e zakonshme tek fëmijët kryesisht godet ata deri në moshën 12 vjeçare.
Në lidhje me paraqitjen e sëmundjes së varicelës institucioni Entit për Shëndet Publik në Dibër i cili është pjesë i Entit Shëndetësorë të Ohrit ka patur kontakte me udhëheqësit e shkollave fillore të komunave Dibër dhe Qendër Zhupë por edhe me kopshtin e fëmijëve në Dibër. Janë dhënë sugjerimet e nevojshme për tretmanin e fëmijëve të prekur nga ky virus. Poashtu kanë patur takime edhe me familjarët e fëmijëve. Duke komentuar numrin e të prekurve nga varicela biseduam edhe me mjekët amë. Ata theksojnë se vet paraqitja e sëmundjes infektive kërkon tretman të veçantë të fëmijëve të prekur nga ky virus meqë virusi transmetohet shpejt nga fëmija në fëmijë.
Përndryshe të theksojmë se në këtë sezon ka edhe sëmundje të tjera të cilët paraqiten tek fëmijët meqë pas përfundimit të dimrit paraqiten probleme me sëmundje të stomakut, probleme me sëmundjen e verdhëzës por edhe sëmundje të tjera infektive. Në institucionet arsimore dhe edukative janë ndërmarr gjitha aktivitetet për tretmanin e fëmijëve të prekur nga varicela. (koha.mk)