Hashim Thaçit i refuzohet sërish kërkesa për lirim nga paraburgimi


Paneli i Gjykatës së Apelit e ka refuzuar sërish kërkesën e mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi për lirim nga paraburgimi në Hagë.
Në vendimin e panelit thuhet se trupi gjykues ka konstatuar se gjyqtari i procedurës paraprake nuk ka gabuar në konstatimin se periudha që Thaçi ka kaluar në paraburgim mbetet e arsyeshme.

Po ashtu, gjykata ka urdhëruar Thaçin dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar që të paraqesin publikisht versionet e tyre të redaktuara brenda 10 ditëve nga bërja publike e këtij vendimi.

Aktakuza kundër Thaçit dhe të tjerëve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe u bë publike më 5 nëntor 2020. Në paraqitjen e parë, Thaçi është deklaruar i pafajshëm për akuzat që i vihen në barrë.