Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi ka mbajtur paraqitje para mediave ku ka reaguar ndaj deklaratës së djeshme të kryetarit të Komisionit anketues, Halil Snopçes për anulimin e mbledhjes së këtij komisioni, transmeton TV21.
Siç deklaroi Xhaferi, Snopçe ka vepruar në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit, pasi ka shpërndarë materiale pa i dorëzuar të njëjtat tek ai se kryetar i Kuvendit, siç parashihet me Rregulloren. “Më 22 mars deputeti Halil Snopçe, si kryetar i Komisionit anketues dorëzon material në emër të Mujedin Belës. Ky veprim është në kundërshtim me Rregulloren për faktin se deputetët materialet i dorëzojnë te kryetari i Kuvendit dhe kryetari vendos për seancën. Halil Snopçe konvokon seancë më 24 mars që do të mbahet më 25 mars. Më 25 mars pa hapur seancën që e ka konvokuar më 25 mars e prolongon seancën për më 5 prill. Më 1 prill kam sjellë vendim për zhbërjen e seancës së prolonguar për më 5 prill”, tha Xhaferi duke sqaruar se këtë vendim e ka bërë bazuar në atë se materialet duhet të dorëzohen fillimisht te ai, ai do t’ua shpërndajë deputetëve dhe do të caktojë seancë varësisht materialit.
Duke folur për Belën, Xhaferi tha se i njëjti ka procedurë gjyqësore për mosavancimin e tij në Ministrinë e Mbrojtjes, gjë për të cilën Komisioni anketues nuk ka bazë për çfarë të diskutojë. Sa i takon dy pikave të tjera – aksidenti në Bullgari dhe spitali në Tetovë, edhe për të njëjtat Xhaferi tha se ka procedura hetuese dhe deputetët nuk mund të diskutojnë për të njëjtat derisa nuk ka epilog në organet hetuese.
“Derisa ajo nuk ka përfundim gjyqësor, Kuvendi nuk mund të diskutojë për të njëjtën”, tha Xhaferi për pikën e aksidentit.
“Sa i takon Spitalit modular, ka raport nga ekspertët gjermanë dhe po shqyrtohet nga prokurorët vendas dhe derisa nuk ka epilog, nuk mund të diskutojë Kuvendi”, tha më tej Xhaferi.
Ai vlerëson se Snopçe po keqpëdror gjendjen emocionale të qytetarëve për politikë ditore.