Protestuesit e rastit “Monstra” kërkojnë një shpresë për drejtësi!

Të akuzuarit e rastit ‘Monstra’ u liruan me kusht nga Gjykata e Lartë, mirëpo çështja e protestuesve që vuajtën dënim me burg shtron shumë dilema nëse ata kanë të drejtë të kërkojnë kompensim apo dëmshpërblim. Kjo, si bazë që të akuzuarit aktualisht dolën si të pafajshëm, del që kërkesa e protestuesve për lirimin e të akuzuarve ka qenë e drejtë dhe e natyrshme, sepse rasti gjithnjë e më tepër, sipas juristëve, është i montuar politikisht.

Adem Abdullai, Muharem Bardhi, Muharem Isa, Rami Buçi, Enur Iljazi dhe Arian Rexhepi, janë gjashtë pjesëmarrësit në protesta që përfunduan në burg duke kërkuar drejtësi për rastin “Monstra”, me akuzën për dëmtim të objektit të gjykatës dhe dhunë ndaj policisë.

Pavarësisht se vepra e protestuesve të burgosur është e ndarë, mirëpo motivi kryesor e
‘provokon drejtësinë’ e gjykatës, pasi rasti ri-gjykohet dhe kjo lë hapësirë për
përgjegjësi.

Eksperti juridik, Osman Kadriu për Fol thotë se kërkesa e protestuesve të rastit
‘Monstra’ ka qenë e lidhur ngushtë me procesin penalo-juridik dhe pas vendimit të plotë,
do të shkohet në procedurën civile, gjë që do të mund të kompensohet dëmi i protestuesve.

”Protestuesit e burgosur janë të lidhur ngushtë me këtë lëndë, për atë se çfarë është
kërkuar në protesta. Ajo çfarë është kërkuar në protesta, po del në sipërfaqe, duke marrë parasysh se tash për tash të akuzuarit janë liruar dhe mendoj se edhe protestuesit e burgosur, nëse nuk janë liruar, duhet të lirohen. Meqenëse procedura juridike është kthyer nga fillimi, atëherë do të vazhdojë sipas rregullave të procedurës penale. Protestuesit të cilët kanë marrë pjesë në ato protesta, ato janë të lidhura ngushtë me çështjen e të dënuarve. Kjo, pasi motivi i tyre, natyra e kërkesave të tyre në protestë, ka qenë e lidhur ngushtë me procesin penalo-juridik.

Ajo për të cilën nuk duhet të shpejtohet me procedurën tjetër, kompensimi i dëmit edhe
për protestuesit e dënuar, do të shqyrtohet pas të vendoset në formë të plotfuqishme,
çështja e pafajësisë së tyre, atëherë shkohet në procedurën civile, në të cilën procedurë
do të kërkohet kompensimi i dëmit. Tash për tash është herët, sepse nuk kemi `epilog
gjyqësor të lëndës, të konstatohet pafajësia e tyre”, deklaron Kadriu.

Osmani më tej ka shtuar se, nëse të akuzuarit e rastit ‘Monstra’ lirohen me vendim të
plotfuqishëm, edhe protestuesit e burgosur gëzojnë të drejtën për dëmshpërblim.

Avokati i rastit ‘Monstra’, Naser Raufi thotë se edhe për protestuesit që vuajtën
dënimin, ndryshon situata dhe se ësht moment i volitshëm që të përsëritet procedura.

”Tani ndryshon situata edhe për protestuesit e burgosur. Ndryshe, protestuesit kanë
pasur arsye pse kanë protestuar, pasi rasti doli si i montuar dhe do të përsëritet. Është
moment i volitshëm që të përsëritet procedura për protestuesit, është moment juridik që
duhet të përsëritet, mirëpo duhet të pritet që aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm”,
potencon Raufi.

Maqedonia dje shënoi një pikë kthese në fushën e drejtësisë. Drejtësia përfundimisht do
të ishte e plotë nëse gjenden dhe dënohen organizatorët e ngjarjes “Monstra”, si dhe
institucionet që morrrën guximin të njollosin familje të tëra me nocionin “terrorizëm”,
ende pa u dëshmuar e njëjta, kështu shprehet për Fol gazetari Xhenis Sulimani, i cili e
ka ndjekur rastin aktivisht.

”Këtu nuk duhet anashkaluar edhe protestuesit që sot vuajnë barrën e burgut për shkak
protestave, pikërisht për rastin në fjalë. Tani, kur të akuzuarit janë, kushtimisht
thënë, në liri, një gjë të këtillë duhet ta përjetojnë edhe protestuesit kundër këtij
rasti famëkeq. Mbrëmë ka fituar drejtësia, por bashkë me të edhe ithtarët e drejtësisë,
gazetarët, opinionistët dhe të gjithë ato qytetarë që kanë protestuar kundër padrejtësive
të regjimit, VMRO-BDI. Megjithatë, drejtësia duhet të shkojë deri në fund”, shprehet
Sulimani.

Familjari i të akuzuarve të rastit ‘Monstra’ Bedri Ajdari thotë se, gjithmonë ka theksuar se më meritorët për lirimin e të burgosurve ka qenë populli shqiptar dhe media.

”Mos t’i harrojmë edhe nacionalitet tjera që e kanë përkrahë luftën për drejtësi. Mirëpo, meritë e madhe është edhe atyre që e paguan në protesta me lëndime trupore dhe burgosje. Protestuesit e burgosur llogariten njëjtë si të burgosurit e rastit ‘Monstra’
sepse janë pafajshëm. Sa mund të them dhe mund të bëj për ata, është e paktë sepse
kontributi i tyre as përmes një libri të shkruar nuk mund të shprehet. Ne duhet ta
fitojmë lëndën dhe më pas do të mundohemi të kërkojmë drejtësi dhe dëmshpërblim për
protestuesit e burgosur, duke treguar se ata kanë pas të drejtë për atë që kanë
protestuar”, thotë Ajdari.

Një ndër organizatorët e protestave kundër vendimit të atëhershëm të rastit ‘Monstra’,
Elvin Veseli, thotë se protestuesit e burgosur e vuajtën dënimin, mirëpo janë edhe nëntë të tjerë çka pritet të burgosen.

”Përveç protestuesve tjerë të burgosur që veçmë e vuajtën dënimin, jemi edhe nëntë të
tjerë që akuzohemi për dëmtim të objekteve dhe sulm ndaj policisë. Për këtë gjykata nuk ka dëshmi dhe kjo nuk është e vërtetë. Kërkesa jonë e atëhershme por edhe e tanishme është që, të akuzuarit e rastit ‘Monstra’ të lirohen përfundimisht. Gjykata neve nëntë të tjerëve, që kemi qenë pjesë e protestës, vazhdon të na dënojë pa faj dhe pa fakte. Sido që të jetë epilogu i rastit, ne do të jemi krenar për drejtësinë që kemi kërkuar për të akuzuarit, pasi kërkesa jonë ka qenë e drejtë dhe e natyrshme”, thotë Veseli, protestues tjetër i akuzuar që pret të vuaj dënimin.

Enur Iljazi, një tjetër protestues që ka vuajtur dënimin me burg prej tre vitesh, thotë
se është ankuar te Gjykata e Lartë dhe kërkon që drejtësia të vihet në vend, mirëpo
përgjigje ende nuk kanë marrë gati një vit. Ai thotë nëse nuk del drejtësia në pah, ai së
bashku me të burgosurit tjerë do të udhëtojë për në Strazburg, vetëm e vetëm që opinioni ta dijë të vërtetën dhe drejtësinë. /Fol/