Filloi stërvitja “Shkëlqimi 22” i Armatës së Maqedonisë së Veriut


Në kampin për trajnim “Pepelishte” sot u mbajt ceremonia ushtarake me të cilën u emërua fillimi i stërvitjes nacionale në terren “Shkëlqimi 22”. Stërvitja do të mbahet në periudhë nga data 3 deri më 11 prill, me kryerjen e aktiviteteve në poligonin e armatës “Krivollak”,kampin për trajnim “Pepelishte”, kazermën “Jane Sandanski” – Shtip dhe kazermën “Strasho Pinxhur” – Petrovec, informon Ministria e Mbrojtjes.

Në stërvitje do të marrin pjesë rreth 1100 pjesëtarë të Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe një numër i caktuar i vlerësuesve dhe vëzhguesve nga NATO-ja. Nga Ministria thonë se qëllimi kryesor i stërvitjes “Shkëlqimi 22” është vlerësimi i gatishmërisë luftarake të Batalionit të Lehtë të Këmbësorisë (BLK), në përputhje me Standardet për Vlerësimin e Komandave Tokësore dhe njësive të Komandës së Përbashkët Operative të NATO-s – CREVAL (Combat Readiness Evaluation).

Në ceremoninë e hapjes së sotme të stërvitjes morën pjesë komandanti i Komandës Operative, gjeneral i brigadës Besnik Emini dhe komandanti i Brigadës së Parë të Këmbësorisë, kolonel Sashko Lafçiski, ndërsa para pjesëmarrësve të stërvitjes mbajti fjalim drejtori i stërvitjes, nënkoloneli Zoran Sumraçki.

Sumraçki theksoi se me realizimin e sukseshmë të kësaj stërvitjeje ka mundësi të tregojmë se jemi të gatshëm të veprojmë së bashku me aleatët tanë sipas standardeve të vetme, të cilat janë të nevojshme në veprimin e përbashkët në ballafaqimin me kërcënimet e sigurisë.
Sipas planit të aktiviteteve të stërvitjes, nga Ministria informojnë se gjatë ditës së nesërme në kazermën “Jane Sandanski” në Shtip do të fillojnë aktivitetet e para për vlerësim në lokacionet paqësore.

Vlerësimi do të kryhet nga një ekip nacional për vlerësim, i certifikuar nga Shkolla e NATO-s për Vlerësimin e gatishmërisë luftarake të forcave tokësore, sipas standardeve dhe procedurave të Aleancës me ç’rast do të vlerësohen procedurat në shtatë fusha të ndryshme të aftësisë. Ky është vlerësimi i parë i përbërjes më të madhe në Armatë pas anëtarësimit tonë me të drejtë të plotë në NATO, për suksesin e së cilës motiv i madh janë vlerësimet e larta të cilat i marrim në vitet e deritanishme nga ana e NATO-s për stërvitjet e suksesshme të kryera në vlerësimet paraprake të përbërjeve të deklaruara, por edhe gjatë kryerjes së misioneve paqësore.