CEO i Tesla-s, Elon Musk, ka hedhur idenë se do të krijojë një platformë të re të rrjeteve sociale. Këtë e bëri të ditur përmes një postimi në “Twitter”, ku nuk jepte detaje të tjera se si mund të dukej apo si do të funksiononte kjo platformë e re.
Kjo ide e miliarderit vjen pas kritikave të shumta që ka ndaj “Twitter”-it. Sipas tij, ky rrjet social nuk lejon fjalën e lirë.
“Duke pasur parasysh se Twitter shërben si sheshi publik de facto i qytetit, dështimi për t’iu përmbajtur parimeve të fjalës së lirë minon rrënjësisht demokracinë. Çfarë duhet bërë?”, shkroi CEO i Tesla-s në një status duke shtruar pyetjen nëse nevojitet një platformë e re.
Por jo vetëm kaq, pasi tek i njëjti postim, Elon Musk u shpreh se “fjala e lirë është thelbësore për një demokraci funksionale”. Për këtë arsye, ai vuri në dyshim nëse “Twitter i përmbahet me rigorozitet këtij parimi”.
Pasi Musk pyeti ndjekësit e tij në “Twitter” në nëntor nëse ai duhet të shesë 10% të aksioneve të tij në Tesla, kompania e automjeteve elektrike mori një thirrje nga SEC sepse pyetja e sondazhit shkaktoi një shitje të aksioneve dhe në shkurt, Musk akuzoi SEC-në për “ngacmim.”
Nëse vazhdon me lançimin e një platforme të tijën, Musk do t’i bashkohet një liste në rritje të figurave publike dhe kompanive të teknologjisë që po heqin dorë nga rrjetet aktuale të mediave sociale dhe po krijojnë platformat e tyre, shpesh duke mbrojtur.
Kujtojmë se ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i cili është përjashtuar nga “Twitter” që nga janari i vitit 2021, lançoi “Truth Social” në shkurt.