Inaugurohet xhamia e re në fshatin Sllatinë

Në fshatin Sllatinë të komunës së Tearcës me ceremoni fetare është lëshuar në përdorim Xhamia e re. Kjo xhami është e dyta për këtë fshat në rrethinën e Tetovës dhe do të shërbejnë për kryerjen e obligimeve fetare të banorëve të këtij fshati dhe jo vetëm. Në inaugurimin e kësaj xhamie kanë marrë pjesë krerët më të lartë të Bashkësisë Fetare Islame në republikën e Maqedonisë së Veriut, nga Myftinia e Tetovës, kryetari aktual dhe ish kryetari i komunës së Tearcës, banorë të fshatit, si dhe mysafirë të shumtë. Fjalë përshëndetëse në këtë ceremoni kishin nga këshilli i xhamisë, imami i kësaj xhamie Nehat Aliji, dhe ish imami i xhamisë qendrore të këtij fshati Arbin Jonuzi. Kryetari i komunës së Tearcës Nuhi Neziri, përgëzoi banorët e këtij fshati për këtë xhami. Mbështetje dhe përkrahje drejtuesve të kësaj xhamie u ka dhënë Muftiu i Tetovës Qani Efeni Nesimi dhe kryetari i Bashkësisë Islame Shaqir efendi Fetahu. Xhamia e dytë në fshatin Sllatinë filloi të ndërtohet më 19 shtator të vitit 2018 dhe është ndërtuar me kontributin e banorëve dhe mërgimtarëve të këtij fshati. Ky fshat me mbi 1000 shtëpi dhe me rreth 5000 banorë, ka një Xhami që është rindërtuar në vitet e 90-ta, ndërsa xhamia e dytë është ndërtuar për nevojat e besimtarëve që ndodhen më larg xhamisë kryesore. Xhamia e dytë në fshatin Sllatinë është ndërtuar në një hapësirë prej 2200 metrave katrorë, prej të cilëve 1000 metra katrorë janë falur nga një banorë i këtij fshati. Kapaciteti i saj është për rreth 500 besimtarë të cilët mund të kryejnë rritet e tyre fetare.(KOHA.MK)