Në pritje të rritjes së serishme të pensioneve, një pjesë e madhe e pensionistëve kanë të ardhura mujore me të cilat mezi mbijetojnë muajin. Të dhënat tregojnë se gati një e treta apo afër 90 mijë pensionistë kanë pensione më të vogla se 200 euro apo 11.500 denarë, ndërsa 20 për qind apo afër 66 mijë pensionistë kanë pensione prej 11.500 deri 14 mijë denarë. Kjo do të thotë se gati gjysma prej 326 mijë pensionistë marrin pensione më të ulëta se 14 mijë denarë.
Njëherësh të dhënat tregojnë se një e treta apo afër 101 mijë pensionistë marrin pensione prej mbi 18 mijë denarë, ndërsa 69 mijë pensionistë apo 20 për qind marrin ndërmjet 14.000 dhe 18 mijë denarë. Nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale thonë se me metodologjinë re që përfshin harmonizimin me rritjen e 50 për qind të harxhimeve të jetesës dhe 50 për qind të rritjes së pagës mesatare, dhe me miratimin e ndryshimeve të Ligjit për sigurim pensional po mundësohet rritje e vazhdueshme e pensioneve që do të rriten dy herë në vit, apo në muajin mars dhe shtator.
“Rritja e pensioneve është pjesë e Programit të ri qeveritar 2022-2024. Pensionistët me pensionin e janarit fituan rritje prej 2,9 për qind, gjegjësisht pensioni mesatar u rrit për 500 denarë apo u rrit nga 15.876 në 16.336 denarë. Tani mbetet që në bazë të ndryshimit të kohës së harmonizimit të fitohen të dhënat statistikore të muajit mars dhe gusht që të mund të përllogarisin rritjen e radhës. Pra, pensioni mesatar në shtator do të rritet për 900 denarë shtesë”, thekson Trençevska. Ajo shton më tej se në tre muajt e ardhshëm pensionistët do të fitojnë edhe 3000 denarë ndihmë për tre muaj për të mbuluar koston e energjisë elektrike.
Nga ana tjetër, ish-ministri i Financave, Trajko Sllaveski, thotë se nevojitet rritje e jashtëzakonshme e pensioneve. Ai shton më tej se çdo herë kur pensioni mesatar do të bie nën 60 për qind të pagës mesatare nevojitet rritje e pensioneve edhe me masa të jashtëzakonshme.
“Kur flasim për harmonizimin e pensioneve, në çdo tre apo katër vite miratohen formula të qëndrueshme që i ndërrojmë vazhdimisht në varë si prej lëvizjeve ekonomike. Për shkak se nuk kishim ndonjë parametër për harmonizimin me zero inflacion edhe nuk kishim çka të harmonizojmë dhe kishim vetëm rritje të pagave. Në marrëveshje me Fondin Monetar Ndërkombëtar, qeveria aktuale e ndryshoi modelin dhe i anuloi pagat nga harmonizimi, mirëpo tani me shkallët e larta të inflacionit që u shfaqën nevojitet të përfshihet edhe rritja e çmimeve, andaj edhe do të ketë rritje të jashtëzakonshme të pensioneve për shkak të rritjes së madhe të çmimeve”, thekson Sllaveski.
Në ndërkohë Instituti ekonomik Finance Think vlerëson se kjo përshtatje është korrekte, përkundër deklaratave paraprake për rritjet më të mëdha historike, dhe atë për dy arsye. Nën një kjo rritje e paralajmëruar nuk prish rrugën e stabilizimit të Fondit Pensional që filloi pas vitit 2019, dhe nën dy ajo siguron një ruajtje të kënaqshme të standardit të jetesës së pensionistëve. Megjithatë, Finance Think thekson se Formula e harmonizimit 50:50 që propozohet tani është e njëjta formulë që ekzistonte në Ligjin referencë deri në vitin 2018, prandaj ajo nuk është një risi në sistemin e financimit të pensioneve.
Me ndryshimet në ligjin referues në dhjetor 2019, u vendos një dispozitë sipas së cilës në rast të rritjes së pagës minimale më të madhe se 15 për qind dhe pagës mesatare më të madhe se 5 për qind, mund të realizohet harmonizimi shtesë i pensioneve në një përqindje jo më të lartë se rritja mesatare e pagës. Duke marrë parasysh se rritja e pagës mesatare në vitet e kaluara e tejkalonte shifrën prej 5 për qind ky qëndrim mundësoi harmonizim adekuat të pensioneve edhe me rritjen e pagës mesatare. Andaj , ndryshimi i propozuar është vetëm një riformulim i zgjidhjes së financimit të pensioneve që është aktualisht në fuqi.
Njëherësh shuma tremujore prej 3.000 denarë në total është lineare për të gjithë pensionistët, pa marrë parasysh lartësinë e pensionit. Përkundër asaj se rritja e dedikuar është e justifikueshme, për të zbutur pasojat negative të krizës energjetike dhe rritjes së çmimeve, megjithatë ajo është ende një rritje ad-hok dhe çdo rritje e tillë e dedikuar në të ardhmen duhet të racionalizohet vetëm për përfituesit e pensioneve më të ulëta. Fondi Pensional është i varur nga buxhetit qendror. Vartësia arriti kulmin në vitin 2017, kur 43 për qind e totalit të shpenzimeve për pensionet mbuloheshin nga buxheti qendror. Nga viti 2018, deficiti filloi të ulet si rezultat i respektimit të rregullit për rritjen e pensioneve sipas kritereve të përcaktuara me ligj, dhe nga viti 2019 si rezultat i reformës që ndryshoi shkallët e kontributeve sociale dhe shkallët e zëvendësimit.
Harmonizimi i pensioneve është i rëndësishëm për ruajtjen e standardit të jetesës së pensionistëve dhe ai duhet të përcaktohet nga parametra jetikë ekonomikë si lëvizjet e çmimeve, pagat dhe Prodhimi i Brendshëm Bruto. Megjithatë, çdo rritje ad-hok e pensioneve jashtë parametrave ekonomikë paraqet rrezik që gropa në sistemin e pensioneve të rritet me shkallë të paqëndrueshme. Nëse politika e rritjes së madhe të pensioneve ad-hok do të vazhdonte jashtë harmonizimit ligjor pas vitit 2017, deficiti do të vazhdonte të rritej. Apo me fjalë të tjera, do të vazhdonte të rritje vartësia e Fondit Pensional nga arka e shtetit, me tendencë që çdo i dyti pensionist të financohet nga tatimimi i përgjithshëm dhe jo nga kontributet e paguara të pensionit konstaton analiza e Finance Think.v