Mediat serbe: “Britanisë nuk i intereson qëndrimi i Serbisë, nuk dëshiron debat mbi Kosovën në Këshillin e Sigurimit”


Britania e Madhe, e cila që nga nesër, 1 gusht, merr përsipër presidencën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ka për qëllim për të parandaluar që në gusht të mbahet një takim i rregullt për situatën në Kosovë, shkruajnë mediat serbe.

Sipas burimeve të “Novosti”, përcjell Telegrafi, tanimë është duke u debatuar për programin e Këshillit të Sigurimit për muajin e ardhshëm dhe Londra nuk e ka vendosur temën për Kosovën sepse ata besojnë se situata në Kosovë është e mirë dhe se nuk ka nevojë për diçka të tillë.

Ndërkohë, po sipas këtij mediumi, ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiq thotë se kjo pritej dhe është e qartë se Britanisë së Madhe “nuk i intereson për qëndrimin serb”.

“Ky është një mesazh i qartë për ne”, citohet të ketë thënë Daçiq.

Burimet, siç shkruajnë mediat serbe, thonë se kjo gjë kundërshtohet fuqimisht nga Kina dhe Rusia dhe se rezultati i kësaj beteje diplomatike duhet të njihet deri në fund të kësaj jave.

Siç thuhet më tej, pa marrë parasysh këtë, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guteres me siguri përgatit një raport të rregullt mujor mbi Kosovën.