SHBA-ja e konfirmon: Rusët bëhen të parët që përdorin armën hipersonike në një luftë


Zyrtarë amerikanë konfirmuan për CNN se Rusia ka goditur me raketa hipersonike Ukrainën, duke bërë që kjo të jetë hera e parë që këto armatime përdoren në luftime. SHBA ka mundur të gjurmojë goditjet teksa ndodhnin, tha burimi i CNN.

Disa burime thanë për CNN se bombardimi me raketa hipersonike u bë më tepër për të testuar armën e re dhe për t’i treguar Perëndimit kapacitetet ushtarake të Rusisë.

Të shtunën, Ministria ruse e Mbrojtjes tha se të premten kishte lëshuar raketat hipersonike Kinzhal kundër një depoje armatimesh në perëndim të Ukrainës, duke e shkatërruar totalisht strukturën.

Raketat hipersonike mund të arrijnë shpejtësinë 5 herë më të madhe se ajo e zërit, që është përllogaritur të jetë 1235 km/h. Kjo veçori i bën këto raketa të vështira për t’u pikasur dhe për të ndërprerë trajektoren e tyre.

Pentagoni e ka shpallur prioritet zhvillimin e këtyre raketave, pikërisht sepse Rusia dhe Kina gjithashtu po punojnë për të zhvilluar versionet e tyre.