VMRO-DPMNE: LSDM-ja shkeli premtimin për referendum të obligueshëm

LSDM-ja edhe njëherë e shkeli demokracinë në Maqedoni, ndërsa Zaevi edhe njëherë i gënjeu qytetarët e Maqedonisë dhe e shkeli premtimin për referendum të obligueshëm. LSDM-ja sërish tregoi autokraci dhe mosrespektim të demokracisë parlamentare, kumton Qendra për komunikime e VMRO-DPMNE-së.

“Të vetëdijshëm për dëmin e marrëveshjes së kapitullimit dhe të vetëdijshëm se marrëveshje për ndryshim të kushtetutës nuk është e pranueshme për qytetarët, me forcë dhe me manipulim të rëndë përmes çështjes së dyshimtë për referendum tentojnë ta shtyjnë. LSDM-ja në mënyrë brutale e shkel praktikën e vendosur demokratike, formulimi i çështjes së referendumit të jetë rezultat i konsensusit midis partive relevante politike. LSDM-ja me çështjen e tillë të formuluar të referendumit e shkel Ligjin për referendum, gjegjësisht nenin 15 ku thuhet se “Çështja e fletëvotimit duhet të jetë saktë e formuluar dhe pa mëdyshje, ashtu që qytetari në referendum të mund të përgjigjet me ‘PËR’ ose ‘KUNDËR’”.

Kësaj çmendurie do t’i vijë fundi, ndërsa të gjithë ata të cilët kanë gabuar para ligjit do të përgjigjen për veprat e tyre. Do të përgjigjen edhe ata të cilët e kanë amnistuar krimin e LSDM-së dhe Zaevit dhe kanë qëndruar në mbrojtje të krimit. Zaev është i frikësuar sepse e din se i vjen fundi qeverisjes së tij korruptuese. Qytetarët do ta kenë fjalën e fundit dhe do t’i thonë Zaevit se Maqedonia do të fitojë!”, thuhet në kumtesë.